Aktualitet Bota Politikë

“Këta gjyqtarë duhet të ikin”- Elon Musk i del në krah Melonit për çështjen e emigracionit të paligjshëm!

“Këta gjyqtarë duhet të ikin”.

Ishte kjo deklarata e fortë e miliarderit Elon Musk duke dalë kështu në mbrojtje të qeverisë Meloni për çështjen e emigracionit të paligjshëm. Elon Musk sulmoi përmes një postimi në X gjyqtarët e seksionit të emigracionit në gjykatën e Romës, të cilët anuluan ditën e djeshme ndalimin e 7 emigrantëve të transferuar në Shqipëri, duke i referuar ata Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Nuk është hera e parë që miliarderi, i cili ishte edhe drejtor i fushatës elektorale të presidentit të ri amerikan, Donald Trump, flet për çështjet e migracionit, në Itali dhe më gjerë.

Mbështetja për të djathtën e Melonit dhe aleatëve të saj nuk është thjesht virtuale. I ftuar dhjetorin e kaluar në festën Atreju, klubi i të rinjve të Fratelli d’Italia, Musk u shfaq me një nga njëmbëdhjetë fëmijët e tij në krahë për të ftuar “italianët dhe vendet e tjera të industrializuara të kenë fëmijë” përndryshe kultura e Italisë, Japonisë, apo Francës  do të zhduken”, duke nënvizuar se rënia e natalitetit nuk mund të zgjidhet me emigrantë.

Shtatë emigrantët që ishin vendosur në kampin e Gjadrit u kthyen në mesnatën e 11 nëntorit në Brindizi.

Ndërkohë pas vendimit të gjykatës së Romës e cila pezulloi dekretin e qeverisë meloni për emigrantët, mediat në itali raportojnë se qeveria synon të mos tërhiqet nga operacionet. Sipas La Reppublica, Meloni do të vijojë apelimin e vendiimeve të gjykatave dhe preferon më mirë një betejë me Gjykatën Evropiane sesa me ato italiane të cilat i sheh si të politizuara.