Bota

Këshilltari i Orbanit: Hungaria nuk do t’i rezistonte një pushtimi rus!

Kryeministri hungarez, Viktor Orban është përfshirë në një skandal politik pasi një prej këshilltarëve të tij më të afërt po përballet me kritika nga opozita në Hungari, për shkak se ai ka sugjeruar se Budapesti nuk do të kishte luftuar për të zmbrapsur një pushtim rus, siç po bën Ukraina.

Balazs Orban, Drejtori Politik i kryeministrit hungarez, deklaroi për faqen zyrtare Mandier se vendimi i Ukrainës për t’i rezistuar pushtimit në shkallë të plotë të vendit të nisur nga Moska ishte “i papërgjegjshëm” dhe tërhoqi paralele me pushtimin sovjetik të Hungarisë më 1956-ën e që u përball me rezistencë të armatosur popullore, e cila u shtyp.

Duke pasur parasysh ngjarjet e vitit 1956, ne me gjasë nuk do të bënim çfarë bëri presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dy vjet e gjysmë më parë, pasi nuk është e përgjegjshme. Tani ne mund të shohim se ai e çoi shtetin e tij në një luftë mbrojtëse, shumë jetë u humbën dhe territore u humbën, tha Balazs Orban, i cili është edhe anëtar i Parlamentit hungarez.

Sërish është e drejta e tyre e është vendimi i tyre sovran. Pra, ata kanë të drejtë të veprojnë kështu. Por, nëse ne do të pyeteshim, ne nuk do të kishim këshilluar këtë, bazuar në atë që ndodhi më 1956-ën, shtoi ai.

Nga rreth 2 mije e 500 e deri në 3 mijë hungarezë, shumica civilë të armatosur, u vranë gjatë luftimeve ndërmjet datave 23 tetor-4 nëntor të vitit 1956 kundër trupave sovjetike që kishin ndërhyrë për të rrëzuar qeverinë reformatore të Imre Nagy-t.

Por, në një video të publikuar më pas në Facebook, Balazs Orban, tha se fjalët e tij “qëllimshëm janë keqinterpretuar” dhe se “heronjtë e vitit 1956 janë heronjtë tanë kombëtarë”. Ky shpjegim nuk u përfill nga opozita.

Peter Magyar, lideri i partisë opozitare të qendrës së djathtë, Tisza, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Balaz Orban-it, i cili nuk ka lidhje familjare me kryeministrin hungarez pavarësisht mbiemrit. Kryeministri hungarez që ka lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, ka refuzuar që ta dënojë pushtimin rus të Ukrainës. Po ashtu, ai ka refuzuar që t’iu bashkohet sanksioneve të vendosura nga Perëndimi ndaj Rusisë.