Aktualitet

Këshilli Evropian i Pagesave shqyrton aplikimin e Shqipërisë në SEPA!

Anëtarësimi i Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA përbën një prioritet kombëtar, pasi shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko:

Shqipëria është vendi i parë në rajon, i cili dërgoi aplikimin formal për t’u pranuar në këtë zonë. Aktualisht, ky aplikim po shqyrtohet nga Këshilli Evropian i Pagesave, si administrator i skemave SEPA, si dhe nga Komisioni Evropian.

Sejko mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë me temë “Kapërcimi i kufijve, ndërtimi i së ardhmes: Integrimi në SEPA rrit përfshirjen financiare duke mundësuar rritje ekonomike të qëndrueshme”, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të saj.

Në këtë konferencë morën pjesë guvernatorë të bankave qendrore e drejtues të lartë të autoriteteve mbikëqyrëse të rajonit, si edhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare. I organizuar në Prishtinë, takimi u hap nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, si dhe u përshëndet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e Drejtorja e Përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva.

Punimet e konferencës u përqendruan kryesisht në: integrimin në SEPA; transformimin digjital dhe implikimet për shërbimet financiare; rritjen e stabilitetit financiar në një ambient në ndryshim; ndërmjetësimin financiar në sektorin bankar rajonal.

Sesioni i tretë i konferencës, ku guvernatori Sejko ishte i ftuar të merrte pjesë si folës, u fokusua në trajtimin e temës “Roli i ndërmjetësimit financiar në sektorin bankar të Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin e tij në zhvillimin ekonomik rajonal”. Paneli diskutoi lidhur me modernizimin e sistemeve të pagesave të nxitur nga prania e bankave të huaja dhe zgjerimi i adoptimit të bankingut digjital, vendimtar për nxitjen e përfshirjes financiare.

Sejko ndau këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë lidhur me temën, duke theksuar se sigurimi i një sistemi pagesash të sigurt dhe efikas është në fokus të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori shtoi se sistemet e pagesave janë shtylla kurrizore e tregut financiar dhe ekonomisë në tërësi, kështu që siguria dhe efikasiteti i tyre janë vendimtare për rritjen e ndërmjetësimit financiar.

Diskutimi vazhdoi me lehtësimin e ndjeshëm që digjitalizimi ka sjellë në fushën e sistemeve të pagesave, si dhe në rolin e bankës qendrore. Duke iu referuar rastit të Shqipërisë, ai u shpreh se Banka e Shqipërisë, që prej vitit 2018, ka intensifikuar përpjekjet për rritjen e përfshirjes financiare dhe përdorimit të pagesave elektronike, nëpërmjet Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023) dhe që prej vitit 2021, me Projektin e Modernizimit të Sistemit të Pagesave të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të kësaj strategjie, Banka e Shqipërisë ka harmonizuar legjislacionin e saj me atë evropian për pagesat nëpërmjet transpozimit të Direktivës për Shërbimet e Pagesave (PSD2) dhe Direktivës për Pagesat elektronike, të cilat janë njëherazi thelbësore për suksesin e SEPA-s. Rezultatet nga tregu, në lidhje me inovacionin dhe konkurrencën që promovon ky ligj, janë inkurajuese si për formalizimin në ekonominë shqiptare, ashtu edhe ndërmjetësimin financiar.