Gjithçka filloi me dëshirën e dy fëmijëve për të pasur një dhomë më të bukur ku të luanin. Por punimet, me shumë gjasa, kanë sjellë në dritë gërmadhat e një prej godinave më të kërkuara në historinë e arkeologjisë.
Fillimisht poshtë dyshemesë filluan të dalin tullat karakteristike romane, dhe më pas mermeri nga më të çmuarit e kohës, i ruajtur në mënyrë perfekte, me nuancat e tij të gjelbra. Elementë që e kanë saktësuar datën e ndërtimit rreth vitit 1 para herës tonë.
Bëhet fjalë për një objekt të kërkuar prej 500 vitesh të paktën, Bazilika e Vitruvit, autori që cilësohet si babai i arkitekturës. Madje, në vëllimin e tij më të njohur, “De Architectura”, Vitruvi përshkruan në detaj vetëm një ndërtesë, pikërisht bazilikën që ndodhet në Fano të rajonit italian të Marke.
Gërmimet janë përkohësisht pezulluar deri në lëvrimet e fondeve nga shteti, sepse territori për t’u nxjerrë në pah është shumë më i madh se një dhomë fëmijësh.