Dhjetëra qytetarë të Thumanës, Krujës dhe Fushë-Krujës, dolën në protestë pasditen e sotme para Parlamentit, teksa paralelisht kishte nisur edhe sesioni i ri parlamentar.
Kërkesa e banorëve ashtu si edhe në tubimet e mëparshme, ishte t’u ofrohet hyrje dalje në aksin Thumanë-Kashar, e cila është bllokuar që me hapjen e autostradës pak javë më parë.
Kujtojmë se këta banorë prej javësh kanë protestuar duke bllokuar autostradën Thumanë – Kashar.
Ata janë shprehur se këtë çështje do ta çojnë në SPAK dhe se po ashtu kanë nënshkruar edhe një kallëzim për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.
“Do ta çojmë në SPAK çështjen e mungesës së aksesit në autostradë. Të hënën në orën 16:45 do të protestojmë para parlamentit.
Të martën në orën 18:00 do të protestojmë në aksin Thumanë – Kashar. Do të kallëzojmë në SPAK, Belinda Ballukun dhe ARRSH”, janë shprehur banorët pak ditë më parë gjatë protestës.