Bota

Kërcënimi Wagner në Rusi, NATO: Po monitorojmë gjendjen/Presidenti Zelensky: E qartë dobësia e Rusisë!

Zhvillimet në Rusi ku ka një rebelim të grupit mercenar Wagner, reagon Volodymyr Zelensky. Sipas presidentit ukrainas, kush zgjedh “rrugën e djallit, shkatërron vetveten”.

Dobësia e Rusisë është e qartë.

Ndonëse nuk e përmendi Vladimir Putinin në emër, Zelensky e kritikon liderin rus për dërgimin e “qindra mijëra njerëzve” në luftë.

Sa më gjatë që Rusia i mban trupat dhe mercenarët në Ukrainë, aq më shumë kaos, dhimbje dhe probleme do të ketë brenda vetes.

Pas pretendimeve të grupit Wagner se ka marrë kontrollin e qytetit rus Rostov-on-Don, guvernatori i rajonit, Vasiliy Golubev, foli kundër katastrofës që sjell një luftë civile.

Në historinë e Rusisë ishin disa kohë kur disa dëshironin të ndanin shoqërinë tonë e të nxisnin flakë të luftës civile. Kjo ka çuar në katastrofë dhe nuk duhet të ndodhë më. Rajoni i Rostovit është me presidentin. Të dashur qytetarë, ne duhet të jemi të bashkuar!

Rrjeti britanik BBC raporton se pjesëtarë të Wagner-it pretendojnë se kanë kontrollin e bazës ushtarake edhe në qytetin tjetër rus, Voronezh, përveçse në Rostov-on-Don, në jug të Rusisë.

Në Voronezh shpërtheu një zjarr i madh, në një depo të naftës.

Guvernatori rajonal, Alexander Gusev tha se 100 zjarrfikës u angazhuan në luftë me flakët. Voronezhi është në mes të qytetit Rostov-on-Don e kryeqytetit Moskë.

Putin mbajti një fjalim televiziv drejtuar kombit. Veprimet e grupit mercenar Wagner i quajti “tradhti e lartë” dhe “thikë pas shpine”. Presidenti bëri thirrje për unitet e deklaroi se autoritetet po veprojnë me shpejtësi, për ta patur situatën nën kontroll.

Prigozhin tregoi se do të marshojë në Moskë, nëse drejtuesit më të lartë ushtarakë nuk takohen me të. Përmes një audio-mesazhi, duket se iu kundërpërgjigj Putinit, duke thënë se trupat e tij nuk po kryejnë tradhti, por janë “patriotë” që po luftojnë për të ardhmen e Rusisë.

Edhe komuniteti ndërkombëtar po reagon për këto zhvillime. Disa shtete në kufi me Rusinë janë duke rritur sigurinë. NATO tha se po mban nën vëzhgim gjendjen.