Sport

Kërcënimet për sulme terroriste në ndeshjet e Championsit, reagon UEFA!

UEFA garantoi këtë të martë se ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve do të zhvillohen siç ishte planifikuar, pavarësisht kërcënimit të sulmeve terroriste nga Shteti Islamik.

Në një deklaratë, qeveria e futbollit europian siguron që “të gjitha ndeshjet e planifikuara do të zhvillohen me masat e duhura të sigurisë” dhe pranon se është “në kontakt të ngushtë me autoritetet lokale” të qyteteve që do të presin ndeshjet.

Këtë të hënë, Shteti Islamik kërcënoi se do të kryente sulme terroriste gjatë ndeshjeve të parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, që do të zhvillohen në Londër, Paris dhe Madrid.

Xhihadistët publikuan disa imazhe në kanale propagandistike, si Fondacioni Al-Azaim dhe Sarh al-Khilafah, një prej tyre me mbishkrimin “Vritini të gjithë”.

Në këtë imazh, një burrë shfaqet me fytyrën të mbuluar, i armatosur me një armë automatike dhe emrin e të gjitha stadiumeve ku do të luhen ndeshjet e Champions League këtë javë dhe kërcënimi u konfirmua nga SITE Intelligence Group, një organizatë e specializuar në gjurmimin e grupeve terroriste.

Reali i Madridit përballet me Manchester City-n, këtë të martë, në Santiago Bernabéu, ndërsa Atlético de Madrid pret Borussia Dortmund të mërkurën.

Arsenali dhe Bayern gjithashtu luajnë këtë të martë, në “Emirates Stadium”, në Londër, ndërsa Barcelona viziton Paris Saint-Germain të mërkurën, në “Parc des Princes”, në kryeqytetin francez.

Zëvendëskomisioneri i policisë së Londrës ka dalë tashmë publikisht për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes në Londër. Ai siguroi se autoritetet “po punojnë ngushtë me ekipin e sigurisë së klubit”.

Ndërkohë, qeveria franceze njoftoi se do të ketë një “përforcim të konsiderueshëm” të sigurisë në kryeqytetin e vendit për ndeshjen Paris Saint-Germain-FC Barcelona, ​​të planifikuar për këtë të mërkurë.