Biletat për Festivalin Europian të këngës, Eurovision 2023 do të dalin në shitje më 7 mars. Fansat do të mund të paguajnë për të ndjekur 9 shfaqje, dy gjysmëfinale të drejtpërdrejta dhe finalen e madhe, si dhe gjashtë ditët kur do të zhvillohen provat. Çmimet variojnë nga 90 deri në 290£ për gjysmëfinalet e drejtpërdrejta dhe nga 160 deri në 380£ për finalen e madhe.
Më shumë se 160 milionë njerëz pritet të ndjekin finalen, të transmetuar drejtpërdrejt nga Liverpool, në maj. Këtë vit, 37 vende do të konkurrojnë. Me këngën “Duje” Albina dhe Familja Kelmendi do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë garë. Zakonisht vendi fitues pret Festivalin e radhës por për shkak të luftës, BBC do të presë eventin në emër të Ukrainës.
Hannah Waddingham do të jetë bashkë-prezantuese këtë vit, së bashku me Alesha Dixon dhe këngëtaren ukrainase Julia Sanina. Graham Norton do t’i bashkohet treshes për finalen e madhe. Eurovizioni kulmon me finale e madhe të spektaklit të shtunën më 13 maj. Slogani i këtij viti për Eurovision-in, do të jetë “Të bashkuar nga Muzika.”
Kurse, logoja për këtë vit shfaq disa zemra që rrahin në unison. Ngjyrat mbizotëruese të logos janë bluja dhe e verdha, njëlloj si flamuri i Ukrainës. Sipas BBC, slogani i këtij viti reflekton origjinën e këtij kompeticioni të këngës që u krijua fillimisht si një mënyrë për të bashkuar Europën në një vend.