Celebrities Film & Tv

Kemi qeshur me të në “Portokalli”, tani Aleksandër Grami sjell gjithë humorin e tij në “Në kuadër të dashurisë”!

E kush nuk ka qeshur dhe është argëtuar me të? Që nga skena e “Portokallisë”, rolet në teatër, emisioni radiofonik “Propaganda”, Aleksandër Grami vjen me gjithë humorin e tij tani në filmin “Në kuadër të dashurisë”. Na lini t’ju themi vetëm kaq; “Bëhuni gati të mbani barkun me dorë nga të qeshurat”.

Aleksandër Grami ka lindur më 08.04.1992 në Durrës. Studimet e larta i ka mbaruar në Universitetin e Arteve në Tiranë ku është dimplomuar në degën Regji Teatri. Ai u bë pjesë e Top Medias në vitin 2015 me emisionin “Pa Limit”. Aty ai realizoi me sukses tre sezone televizive dhe shkaktoi të qeshura pafund së bashku me kolegët e tij. Me mbylljen e atij emisioni, ai u bë aktor i spektaklit të humorit “Portokalli” dhe që atëherë ka qenë pjesë e pandashme e tij. Rolet kryesore të tij janë mjaft ikonike, ku mund të përmendim ato së bashku me grupin “Katërshja”.

Gjatë kësaj periudhe, ai u bë pjesë gjithashtu edhe e Top Albania Radio, ku erdhi me një emision të tijin. Ai mbante titullin “Propaganda”. Edhe pse prej vitesh është pjesë e ekranit, Aleksandër Grami është edhe aktor në “Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë” dhe në “Teatrin e Kukullave”. Për disa vite, aktori hapi edhe një program online javor të quajtur “Me Sandrin”, ku postonte video në Instagram dhe Youtube me tematika të ndryshme.