Bota

KE propozon “pasaporta-COVID” për lehtësimin e udhëtimeve brenda BE-së

Brukseli zyrtarisht propozon lëshimin e “pasaportës së gjelbër për COVID-19”, përmes së cilës synohet lehtësimi i lëvizjes së njerëzve brenda Bashkimit Europian, në kohën e pandemisë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka thënë gjatë paraqitjes së këtij propozimi se synimi është që sa më parë të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe kjo është e mundur në afat të gjatë vetëm përmes vaksinimit gjithëpërfshirës.

Komisioni Evropian ka sqaruar se këto pasaporta do të kenë tri elemente, të cilat do të duhej të ishin të mjaftueshme për të mundësuar lëvizjen e njerëzve.

Elementi i parë përmban vërtetimin për vaksinim kundër COVID -19, i dyti, vërtetimin për test negativ në këtë virus dhe i treti, vërtetim se personi është shëruar nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Të gjitha këto pasaporta duhet të përfshijnë edhe të dhënat për datën e vaksinimit apo testimit, emrin e institucionit që e ka bërë testin apo vaksinimin, emrin e vaksinës dhe afatin e vërtetimit.

Për momentin, sipas sqarimeve të Komisionit Evropian, pasaportat duhet të lëshohen në të gjitha vendet e BE-së dhe të pranohen në të gjitha shtetet tjera të BE-së si dhe shtetet e zonës Shengen, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.