Bota

“Katastrofë e tmerrshme”, çfarë po mendon Koreja e Veriut?

Kim Yo Jong, motra e Kim Jong Un-it, paralajmëroi Korenë e Jugut me “katastrofë të tmerrshme” nëse sërish dërgon dronë. Koreja komuniste pretendon se Seuli qëndron pas tre episodeve të javës së fundit me hedhje pamfletesh kundër koreano-veriorëve në Phenian, përmes dronëve të komanduar në distancë. Koreja e Jugut nuk i konfirmoi këto pretendime si pohime të vërteta.

Në momentin që një dron i [Republikës së Koresë] zbulohet në qiellin e kryeqytetit tonë sërish, kjo do të çojë në një katastrofë të tmerrshme, u shpreh Kim Yo Jong, e cituar në median shtetërore koreano-veriore. Personalisht, unë po lutem që të mos ndodhë diçka e tillë.

Tensionet janë shtuar ndjeshëm në Gadishullin Korean dhe kjo pasi Pheniani ka rritur dukshëm numrin e testimeve raketore në dy vitet e fundit, duke ashpërsuar retorikën kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Koresë së Jugut për stërvitjet e përbashkëta ushtarake që ato kryejnë.

Nga ana tjetër, koreano-veriorët kanë thelluar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë. Javën e kaluar, zyrtarë të vendit të izoluar thanë se do t’i mbyllin të gjitha rrugët dhe lidhjet hekurudhore me Korenë e Jugut e vunë në dukje se do t’i blindojnë duke i forcuar edhe më tepër kufijtë.

Sipas ushtrisë së Seulit, Pheniani ka vendosur mijëra mina tokësore në zonën kufitare, muajt e fundit. Në fund të vitit të kaluar, Kim Jong Un i përshkroi marrëdhëniet mes dy Koreve si ato të dy vendeve që luftojnë kundër njëri-tjetrit. Kim ka kërkuar që Koreja e Jugut të shpallet armiku kryesor i Veriut dhe që kjo të përfshihet në Kushtetutë.

Udhëheqësi përsëri paralajmëroi se mund t’i përdorë armët bërthamore në konflikte të mundshme me Korenë e Jugut dhe me Shtetet e Bashkuara. Këto dy vende i akuzoi se po provokojnë e se po  rrisin armiqësitë në Gadishullin Korean.

Disa herë, Kim ka bërë kërcënime të ngjashme mbi përdorimin e armëve bërthamore për parandalimin e sulmeve kundër vendit të tij, por paralajmërimi më i ri vjen në kohën kur ekspertët e jashtëm thonë se Koreja e Veriut mund t’i rrisë armiqësitë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA-të, muajin e ardhshëm.

Gjatë fjalimit në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare Kim Jong Un, ai tha se Koreja e Veriut “do t’i përdorë pa asnjë ngurrim të gjitha armët sulmuese kundër armiqve të saj”, nëse përpiqen t’i përdorin forcat e armatosura kundër Koresë së Veriut, siç raportoi agjencia zyrtare e lajmeve të Veriut, KCNA.