Sport

“Katar 2022”, sot ndeshjet e dyta të grupeve G dhe H/Brazili: Të fortë edhe pa Neymar!

Në botërorin e futbollit, Katar 2022, sot luhen ndeshjet e dyta të grupeve G dhe H. Në orën 11:00 nis të luhet Kamerun-Serbi, për të vijuar me tre të tjera sipas orareve të përcaktuara:

Më 14:00 Kore e Jugut-Gana

Më 17:00 Brazil-Zvicër

Më 20:00 Portugali-Uruguai

Pas suksesit të pastër 2-0 ndaj Serbisë, pesë herë kampionët e botës, Brazili, sot luan ndeshjen e dytë të grupit, atë përballë Zvicrës. Marcos Cafu, ish-mbrojtësi i Milanit dhe Romës, kampion bote në vitin 2002, tregoi se Brazili është favorit dhe i tillë do të jetë edhe nëse nuk luan Neymar.

Ne mund të ecim edhe pa Neymar-in, jemi më të fortë.  Kemi një skuadër të madhe, lojtarë me përvojë. Në “Rusi 2018” i vetmi “burim” ishte Neymar, tani jo. Neve do të na mungojë Neymar sepse ai mund të bëjë diferencën në çdo moment, por Brazili nuk mund të varet prej tij. Le të shpresojmë që kyçi i këmbës t’i shërohet. Pa të, Brazili mbetet shumë i fortë dhe pretendent për Kupën e Botës. Këtë duhet ta kuptojë i gjithë grupi.

Ndërkohë, dje dy gola të shënuar nga dy sulmues të ardhur nga stoli vendosën ndeshjen Spanjë-Gjermani, që u mbyll në barazim 1-1, duke lënë tërësisht të hapura llogaritë për kualifikim në Grupin E të Botërorit.

Kërkohej një shkëndijë nga Gjermania, që për disa minuta e pa veten në disavantazh dhe me një këmbë jashtë Botërorit. Por, Fulkrug i dha një pikë shprese duke lënë llogaritë e hapura.

Pjesa e parë ishte me ritëm të lartë, me Spanjën që goditi traversën me Dani Olmon dhe i shkoi pranë golit me Ferran Torres, i cili gaboi nga fare pranë, ndërsa Gjermania u zgjua vetëm në minutat e fundit, duke shënuar një gol me Rudiger, por që u anulua shpejt nga VAR për një pozicion jashtë loje milimetrik.

Në pjesën e dytë, Luis Enrique përdori kartën Alvaro Morata, i cili shumë shpejt dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë nga brenda zonës, duke tronditur jo pak gjermanët.

Në këtë situatë, Flick kryen tre zëvendësime menjëherë, duke hedhur në fushë edhe qendërsulmuesin Fulkrug, i cili gjeti golin e barazimit në minutën e 33-të e provoi “të ringjallë” gjermanët.

Vërshëllima finale la në fuqi barazimin 1-1, që i shkon përshtat Spanjës, pasi mjafton të mos humbë ndeshjen e fundit ndaj Japonisë, për të vijuar më tej. Megjithatë, Grupi E mbetet me llogari të hapura, pasi të katër ekipet kanë shanse të avancojnë në fazën e 1/8-ave.