Sot, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Wake Up” ishte këngëtari dhe kompozitori i njohur Kastro Zizo i cili së fundmi ka lançuar këngën e tij të fundit “Mall Burri”. Lidhur me këtë projekt dhe pse Kastro vendosi që të bënte një ‘pauzë’ nga mediat, ai shprehet se:
Qe një vendim që vjet në fakt që nuk kam dalë në asnjë media, kam bërë një lloj pauze, një detox mediatik përfshirë edhe detox fizik me veten time. (“Mall Burri”) është një projekt që ka shumë pak ditë, në fakt është një projekt që thyeu disa tabu të miat për faktin që në të gjithë karrierën timë të gjithë tekstet ose 99% të tyre janë të bëra nga unë me përjashtim të ndonjë gjëje të vogël por që përjashtimet e vogla kanë qenë me penë të mëdha, të tipit Pirro Çako. Unë gjithmonë kam refuzuar ose gjithmonë kam dashur të them atë timen. Në rastin kokret më doli pas një detoxi mediatik, fizik qoftë edhe mental.
Kastro shpjegoi më tej dhe se si lindi frymëzimi për këngën “Mall Burri”.
Ka disa kohë që i jam rikthyer leximit. Të gjithë ne nuk kemi kohë tani për shkak të dinamikës së jetës dhe në këndin tim kam shumë libra, dhurata të miqve të mi të cilat nuk kam pasur asnjëherë kohë që t’i shfletoja. Një ndër të cilët ishte dhe Genc Llakaj, një poet i cili më intrigoi shumë nga figura e tij e vrazhdë në të gjithë jetën e tij politike apo patriotike, me poezitë aq të ndjeshme e cila njëra më spikati sepse ishte një përjetim, një dedikim që ai i kishte bërë motrës së tij të ndjerë dhe automatikisht më erdhi. Si pasojë qoftë edhe e humbjes së nënës simë që ka pak vite, u bëra pjesë e gjësë dhe ashtu u ndërtua e gjitha. Sigurisht edhe me shumë pikëpyetje kundrejt këtyre dedikimeve, unë mora një rast lokal në rastin konkret i mikut tim por, trajtimin e dhimbjes apo mallin e burrit.
Nga mënyra se si ka zgjedhur ta sjellë këngën e tij Kastro, a bën diferencën që është mall burri? Ai rrëfen se:
Po. Kryesisht janë ndërtuar disa lloj steriotipesh që unë personalisht mendoj që vjen nga injoranca, të tipit burrat nuk qajnë. Mënyra se si burri e ndërton figurën e tij, pra një burrë në sytë e shoqërisë shqiptare duhet të jetë kështu. Duke i atribuar disa elementë që këtë ndoshta e bëjnë edhe gratë. Në të gjithë dilemën time, në ato pak video që kam realizuar kam dashur të them që jo vetëm që unë qaj por malli i burrit ndoshta është edhe më i fortë. Doja ta bërtisja dhe e bërtita.
Me gjithë këtë frymëzim, çfarë do na sjellë Kastro Zizo së shpejti?
Ky është projekti i para pak ditëve, jo më larg se dje në darkë unë kam publikuar një projekt tjetër, një bashkëpunim me një ftesë që më erdhi nga miku im i mirë Visjan Ukcenaj, me titull “Hana”. Gjej rastin edhe ta promovoj këtu tek ju, një projekt shumë i mirë edhe ai. Unë jam pjesëmarrës i festivalit të madh të fundvitit në një televizion, me një material që me të vërtetë e ndjej shumë dhe nga kjo frymë, kur nisi ajo që ne e quajmë epoka “2 Farm”. Rikthehen “2 Farm” me dy materiale të reja që janë bërë dhe janë në fazë montazhi video. Kthehen me një album të ri dhe vitin tjetër e gjitha do konkretizohet në një koncert të madh me këngët e vjetra dhe me albumin e ri. Kemi të bëjmë me tre gati 40-vjeçarë që do rikthehen edhe njëherë për t’i dhënë atë frymën e para 20 viteve.
Ndërkohë “Mall Burri” i është bashkuar këtë javë klasifikimit të 100 këngëve më të mira shqiptare në Top Awards, “The Top List”, duke u renditur kështu në vend të 90-të. Nëse edhe juve ju pëlqen ky projekt, mund ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e klasifikimit.