Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump emëroi 27-vjeçaren Karoline Leavitt, sekretare shtypi të Shtëpisë së Bardhë. Leavitt, e cila më parë ka shërbyer si zëdhënëse e fushatës së Trump-it, sjell përvojën nga koha e saj në zyrën e shtypit gjatë mandatit të tij të parë në vitet 2017-2021. Presidenti i ardhshëm e vlerësoi si “të zgjuar”, “të ashpër” e një “komunikuese shumë efektive”.
Karoline Leavitt bëri një punë të jashtëzakonshme në fushatën time historike dhe kam kënaqësinë të njoftoj se ajo do të shërbejë si sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë. Kam besimin maksimal që ajo do të shkëlqejë në podium dhe do të ndihmojë në përcjelljen e mesazhit tonë për popullin amerikan, ndërsa ne do ta bëjmë Amerikën të madhe sërish.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Leavitt do të jetë personi më i ri në moshë që do të mbajë ndonjëherë postin prestigjioz të sekretarit të shtypit të Shtëpisë së Bardhë.
Leavitt kandidoi për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2022. Ajo fitoi garën paraprake në mesin e republikanëve, por humbi zgjedhjet e përgjithshme përballë demokratit Chris Pappas. Ajo iu bashkua fushatës së zotit Trump në vitin 2024 dhe ka qenë zëdhënësja kryesore e ekipit të tranzicionit të presidentit të zgjedhur.
Roli i sekretarit të shtypit është tradicionalisht një rol i profilit të lartë, përgjegjës për mbajtjen e konferencave të përditshme të shtypit në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, gjatë mandatit të parë të Trump, konferencat për shtyp ishin të rralla. Ish-sekretarja e Shtypit, Stephanie Grisham u largua nga roli pas muajsh pa mbajtur asnjë konferencë të vetme.
Në vend të kësaj, Trump shpesh zhvillonte konferenca të gjata për shtyp ose iu përgjigj pyetjeve drejtpërdrejt nga gazetarët, shpesh duke iu referuar gazetarëve të medias si “armiq të popullit”. Mandati i parë i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë kishte katër sekretarë të ndryshëm shtypi: Sean Spicer, Sarah Huckabee Sanders, Stephanie Grisham e Kayleigh McEnany.
29 vjeçari Ron Ziegler ishte sekretari i mëparshëm më i ri në moshë i përzgjedhur nga presidenti Richard Nixon, në vitin 1969.