Sulmuesi i Francës dhe i ekipit spanjoll Real Madrid, Karim Benzema, u shpall fajtor për shantazh seksual ndaj një futbollisti tjetër francez. Sipas BBC-së, një gjykatës dënoi Benzema-në me një vit burg me kusht dhe e urdhëroi atë të paguajë një gjobë prej 75 mijë eurosh.
33-vjeçari ishte një nga pesë personat që muajin e kaluar u gjykuan lidhur me një përpjekje për të zhvatur francezin Mathieu Valbuena. Skandali tronditi komunitetin e futbollit në Francë dhe të dy lojtarët humbën vendet e tyre në Kombëtare. Rasti daton qershorin e vitit 2015, kur që të dy futbollistët ndodheshin në një kamp stërvitor francez.
Prokurorët deklaruan:
Në kamp, Benzema i bëri presion Valbuenës për të shlyer shantazhuesit, me të cilët kishte komplotuar për të vepruar si ndërmjetës.
Karim, gjithmonë i ka mohuar akuzat duke këmbëngulur se ai vetëm sa po përpiqej të ndihmonte Valbuenën, “të hiqte qafe” videon komprometuese. Pas 6 vitesh pezullim për shkak të skandalit, Karim Benzema u rikthye në Kombëtaren Franceze për Kampionatin “Euro 2020” të shtyrë nga vjet për shkak të pandemisë koronavirur e të zhvilluar këtë verë.
Ndërkaq, sonte në orën 21:00 do të luajë me Real Madridin përballë FC Sheriff Tiraspol, në Champions League. Benzema nuk ishte i pranishëm në gjykatën e Versajës për vendimin dhe po kështu, as Valbuena, i cili luan për klubin grek Olympiakos.
Edhe katër të pandehur të tjerë u shpallën fajtorë. Atyre iu dhanë dënime me burg që varionin nga 18 muaj me kusht deri në dy vjet e gjysmë heqje lirie.
Avokatët e Benzema-s thanë se do të apelojnë vendimin për dënimin e tij.