Aktualitet

Kapet me armë e municione i shumëkërkuari në Fier!

Policia e Shtetit njoftoi sot se ka arrestuar një të shumëkërkuar, pjesë e listës me 50 shtetasit më të kërkuar në vendin tonë. Ky shtetas është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e dy shtetasve, në vitin 2011. Sipas njoftimit zyrtar policor, në banesën ku u kap në flagrancë, në Fier, Policia gjeti dhe sekuestroi 4 armë zjarri, municion luftarak e antiplumb.

Si rezultat i informacioneve të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për vendndodhjen e shtetasve në kërkim, dhe i kontrolleve të kryera për kapjen e tyre, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Wanted”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Gjatë operacionit, u kap në një banesë në lagjen “1 Maji”, Fier, dhe u vu në pranga shtetasi: Pjetër Pacani, 61 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Kuqe, Laç.

Në banesën ku u kap ky shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 armë zjarri pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, granatëhedhës dhe 2 antiplumba. Ky shtetas është përfshirë në listën me 50 shtetasit më të kërkuar nga Policia e Shtetit, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2014, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, sepse më datë 18.01.2011, pranë një karburanti në aksin rrugor “Lezhë-Tiranë”, ka vrarë me armë zjarri 2 shtetas.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.