Aktualitet

Kapet arsenal armësh në Lushnjë/Një në pranga, dy të proceduar!

Në Lushnjë u sekuestrua një arsenal armësh (4 armë gjahu pa leje, 1 armë zjarri pistoletë), gjerdanë arme gjahu me fishekë, municion luftarak dhe radio të ngjashme me ato të uniformave blu. Në pranga ra një 60-vjeçar, ndërsa dy shtetas të tjerë u proceduan penalisht. Policia thekson se i arrestuari lëvizte i armatosur në qytet dhe dy personat udhëtonin si pasagjerë në makinën e tij. Pas kontrolleve të zhvilluara dhe në banesa, u gjetën armët.

Njoftimi i policisë: 

Lushnjë/ Lëvizte i armatosur me armë zjarri pistoletë, me fishekë në fole gati për qitje, falë inteligjencës policore kapet dhe vihet në pranga 60 vjeçari. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Lushnjë operacioni “Guns”.

Sekuestrohet një arsenal armësh (4 armë gjahu pa leje, 1 armë zjarri pistoletë), gjerdanë arme gjahu me fishekë, municion luftarak, radio të ngjashme me ato të Policisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë pas informacioneve se 1 shtetas lëviz i armatosur në qytet, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij. Në kuadër të operacionit “Guns”, për këtë rast u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi:

-A.M., 60 vjeç, banues në fshatin Mërtish.

Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, shërbimet e Policisë, i kanë gjetur këtij shtetasi 1 armë zjarri tip pistoletë me fishek në fole, dhe krëhër të mbushur, 1 armë gjahu pa leje, municion luftarak, dhe një gjerdan arme gjahu me fishekë.

Më pas nga kontrolli i banesës së shtetasit A.M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, gjetën dhe sekuestruan 2 armë gjahu pa leje, gjerdanë arme gjahu, municion luftarak, dylbi, dhe radio të ngjashme me ato të Policisë.

Gjithashtu për këtë rast u proceduan penalisht shtetasit:

-Q.G., 59 vjeç dhe djali i tij, shtetasi K.G., 31 vjeç, të dy banues në fshatin Gurë.

Këta shtetas në momentin e kontrollit të automjetit, ishin pasagjerë dhe nga kontrolli i banesës së tyre u gjet dhe sekuestrua një armë gjahu pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasit A.M., dhe veprat penale “Moskallëzim i krimit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasve Q.K., dhe K.G.