Agjencia britanike e Luftës kundër Krimit, NCA, ka njoftuar për kapjen e sasisë më të madhe të kokainës në historinë e atij vendi, e fshehur në një ngarkesë me banane e ardhur nga Amerika Latine drejt portit të Hamburgut në Gjermani.
Ngarkesa me një sasi prej 5.7 tonësh kokaine dhe me vlerë prej 450 milionë sterlinash u kap në portin jugor të Southemptonit në Angli.
Sasia e kokainës së kapur është më e madhja në historinë e ishullit, dhe ka qene një bashkëpunim mes NCA, ose siç njihet ndryshe FBI-se britanike, të luftës kundër Krimit dhe Forcave Kufitare, e fshehur në një ngarkesë me banane e ardhur në portin anglez të Southempton-it. Sasia e drogës me një vlere prej 450 milionë sterlinash, peshonte 5.7 tonë, dhe kishte si destinacion portin e Hamburgut në Gjermani. Kjo sasi është më e madhe se 3.7 tonet e kokainës të kapur në 2022 në të njëjtin port anglez.
Sipas drejtuesve të lartë të NCA, Agjencise së Luftës kundër Krimit, edhe pse destinacioni në këtë rast ishte Evropa kontinentale, padyshim një pjese e saj do përfundonte në territorin britanik.
Oficerët e kësaj agjencie tashmë janë duke bashkëpunuar me organet e tjera evropiane dhe ndërkombëtare të ligjzbatimit për të identifikuar rrjetin kriminal pas kësaj ngarkese që do përfundonte në Hamburg. Tregtia e kokainës ka pësuar një rritje eksponenciale në vitet e fundit sipas NCA. Drejtori i kësaj agjencie Chris Farrimond thotë se “kjo kapje e madhe përbën një grusht të rëndë për kartelet kriminale të përfshira duke u shkaktuar atyre humbje të mëdha në fitime”.
Tregu britanik i kokaineës dominohet nga grupet kriminale, mes tyre gjithnjë e më aktivë edhe ato shqiptare, ku fitimet vjetore shkojnë në rreth 4 miliardë sterline në vit vetëm në Britani.