Aktualitet Politikë

Kaosi në Kuvend, PS-ja kërkon masë për 5 deputetë të opozitës!

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën i kërkon masa displinore për 5 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kjo kërkesë vjen pas bllokimit të foltores dhe kaosit të shkaktuar në seancën e kaluar plenare.

Maxhoranca kërkon ndëshkim për Flamur Nokën, i cili u përjashtua nga seanca nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla pasi përdori gjuhë fyese. Gjithashtu, masë kërkohet për Gazment Bardhin, Edi Palokën, Ervin Salianjin e Luan Baçin.

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën do të mblidhet  ditën  e sotme, ora 13.00 për shqyrtimin e kësaj kërkese.

Rikujtojmë se Flamur Noka u përjashtua nga seanca e kaluar plenare për gjuhë të papërshtatshme e kërcënime, por pavarësisht vendimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla vazhdoi të qëndronte në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Madje pati dhe një incident në momentin kur Noka ndërhyri për t’i marrë mikrofonin deputetin socialist Nasip Naço e kjo çoi në një përplasje me një gardist që ndërhyri e Noka e shtyu. Nikolla e paralajmëroi Nokën që të ikë nga salla, në të kundërt Sekretariati i Kuvendit do të marrë të tjera masa.

Noka: Je përfaqësuese e turpit

Nikolla: Turpi jeni ju. Unë përfaqësoj familjen time. Nuk më intimidoni dot, s’më kërcënoni dot!

Rithemelimi kërkoi rivendosjen e emrit të Sali Berishës në grupin e Partisë Demokratike, por Nikolla e refuzoi këtë kërkesë. Për shkak të tensioneve në sallë ka patur disa bllokime të foltores e ndërprerje të seancës. Prej rreth 6 muajsh, Sali Berisha është në “arrest shtëpie”, nën hetim për korrupsion pasiv në çështjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve dhe të futet në rendin e ditës mocioni me debat i kërkuar prej tij mbi investigimin e Rai 3 dhe sigurinë në vend. Bardhi kundërshtoi argumentet e Nikollës për të rrëzuar kërkesën e tij për mocionin me debat.

Ajo që Nikolla bëri me mocionin nuk është thjesht shkelje kushtetuese, rregulloreje, por një filozofi që e ka shpallur luftën ndaj krimit të organizuar jashtë fushës së veprimtarisë së Këshillit të Ministrave. Argumenti i dytë që më ka dhënë Nikolla në kërkesën për mocion, nuk e kam përmendur kurrë kryeministrin, thotë ke cënuar integritetin e kryeministrit. Dy argumente që më kanë ardhur me shkrim, kur kërkesa jonë ka të bëjë me një shqetësim real të qytetarëve.

Pas fjalës së Bardhit, Nikolla hodhi në votim kërkesën e opozitës për mocion me debat, e cila u rrëzua nga deputetët e maxhorancës.