Kaos në radhët e përfaqësueses së Brazilit. Presidenti i vendit, Lula da Silva, ka kërkuar publikisht që në radhët e “seleçaos” të mos ketë lojtarë që luajnë jashtë, pasi sipas tij, asnjë prej tyre nuk është një yll i kalibrit botëror.
“Nuk ka asnjë yll”, tha ai duke folur në një intervistë radiofonike, edhe pse në radhët e kësaj përfaqësueseje ka futbollistë si Vinicius, Rodrigo, Rafinja, Alison apo Ederson sa për të përmendur disa, të cilët shkëlqejnë me klubet e tyre në Europë.
“Ata që janë jashtë, nuk janë më të mirë se këta që janë këtu. Nuk ka asnjë Garrinça apo Romario. Vetëm një numër i madh të rinjsh që nuk janë ende yje. Në Brazil ka lojtarë të mirë dhe të të njëjtës cilësi, ndaj më mirë t’i japin mundësinë atyre që janë këtu”, tha presidenti i vendit, duke deklaruar se këtë kërkesë ia kishte bërë edhe presidentit të Federatës Braziliane të Futbollit.