Aktualitet

Kanosën 34-vjeçarin për t’iu dhënë 200 mijë euro një në pranga e një në kërkim në Elbasan!

Kanosën një 34-vjeçar për t’iu dhënë 200 mijë euro që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të përbashkëta kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit, arrestohet një 35-vjeçar nga Belshi, shpallet në kërkim vëllai i tij, 31-vjeç. Blutë e Elbasanit e të Cërrikut u vunë në lëvizje pas denoncimit nga i kërcënuari, në kuadër të operacionit të koduar “Pressure”.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i reagimit menjëherë pas marrjes së denoncimit se një 34-vjeçar shtrëngohej nëpërmjet kanosjes, për të dhënë një shumë të konsiderueshme parash, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë të DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Pressure”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A.D., 35 vjeç, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi E.D., 31 vjeç, të dy banues në Belsh.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta dy shtetas kanë kanosur një shtetas 34 vjeç, që ai t’iu jepte shumën 200 mijë euro, e cila dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, një motomjet dhe dy celularë, në pronësi të dy vëllezërve.

Vijon puna për kapjen e 31-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtij rasti.