Sport

Kanizares: “Kurtua është Maradona, Mesi dhe Kristiano i portierëve”.

Ashtu siç ka ndodhur në shumë raste të tjera, edhe në ndeshjen e parë të sezonit në Champions, Realit të Madridit iu deshën ndërhyrjet e jashtëzakonshme të portierit Tibo Kurtua për të marrë fitoren.

Nëse ai nuk do të ishte në portë, ndoshta gjermanët mund të kishin shënuar një thes me gola në 15 minutat e para të ndeshjes. Bëri 5 pritje të jashtëzakonshme duke korrigjuar gabimet që skuadra e tij ka bërë gjatë kësaj periudhe loje. Santiago Kanizares e konsideron belgun si portierin më të mirë në botë dhe ndoshta më të mirin e historisë.

Pas përfundimit të ndeshjes deklarata e tij ka bërë xhiron e mediave. “Kurtua është Maradona, Mesi dhe Kristiano i portierëve. Është portieri më i mirë që kanë parë sytë e mi gjatë gjithë jetës. Këtë e them pa asnjë dyshim”, ishte deklarata e tij.

Sezonin e kaluar ishte i dëmtuar dhe praktikisht e humbi të gjithë vitin, por që nga momenti i rikthimi ka treguar se çfarë portieri është. Në 9 ndeshje nga 12 ka mbajtur portën të paprekur. Në sezonin e kaluar luajti 5 ndeshje, 4 në La Liga dhe finalen e Champions-it dhe në asnjë prej tyre nuk pësoi gol. Reali mori 4 fitore dhe 1 barazim dhe 5 ndeshje pa pësuar.

Në këtë mënyrë e mbylli me buzëqeshje vitin më të vështirë të karrierës. Në këtë sezon “muri” Kurtua vazhdon të shkëlqejë me 7 ndeshje dhe 4 të tilla pa pësuar me një bilanc prej 5 fitoresh dhe 2 barazimesh.