Së fundmi bëhet e ditur se Netflix është paditur nga aktori dhe producenti Sohum Shah. Ai pretendon se platforma e madhe i ka vjedhur idenë dhe skenarin nga filmi i tij i vitit 2009, “Luck”. Seriali korean i cili theu rekorde shikueshmërie “Squid Game”, u shfaq për herë të parë në vitin 2021 ndërkohë që sezoni i dytë është planifikuar të publikohet më 26 dhjetor të këtij viti. Sipas një padie të siguruar nga TMZ, Shah ka pretenduar se Netflix ka marrë skenarin nga thrilleri aksion i tij, të cilin ai e ka shkruar vetë.
Shah ka pretenduar në padinë e tij se ka shkruar skenarin për “Luck” në vitin 2006 dhe filmi është publikuar më pas në kinema në vitin 2009 në vende si: India, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Sohum gjithashtu ka pretenduar se skenaristi i “Squid Game”, Hwang Dong-hyuk, ka thënë se ka shkruar skenarin e serialit të tij në vitin 2009 – vitin e njëjtë kur “Luck” u publikua zyrtarisht. Përveç Netflix, Shah po padit gjithashtu Dong-hyuk.
Në padinë e tij, producenti ka deklaruar se platforma e transmetimit do të kishte mundur të shihte “Luck” kur u publikua për herë të parë për shkak të “reklamave dhe marketingut të konsiderueshëm”. Pas suksesit global të “Squid Game”, Netflix ka rritur vlerën e tregut me rreth 900 milion dollarë (811 milionë euro).
Shah raportohet se kërkon një pjesë të kësaj vlerë – dhe gjithashtu synon të parandalojë platformën e transmetimit nga ‘shkelja’ e të drejtave të tij të autorit për “Luck”, sipas TMZ.
Seriali gjithashtu ka fituar shumë çmime pas pranimit të kritikave pozitive nga kritikët dhe fansat. “Squid Game” ka marrë tri nominime në çmimet “Golden Globes” – me O Yeong-su që fitoi çmimin për “aktorin më të mirë në rol dytësor në një serial”. Seriali gjithashtu ka marrë katër nominime për SAG Awards, duke fituar tre prej tyre. Çmimet e tjera që “Squid Game” ka fituar përfshijnë dy çmime Emmy, dy “Critics’ Choice Television Awards” si dhe një “People’s Choice Awards”.