Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur nga Italia akuzave të opozitës, lidhur me takim e parë të zhvilluar me diasporën, atë në Greqi, ku u tha se stadiumi ishte mbushur me administratën e marrë me autobusë nga Tirana.
Rama u shpreh po ashtu se akuza e opozitës se nga vendi janë larguar 1 milion shqiptarë, është një gënjeshtër e ligë.
“Disa gojë thonin këto ditë që unë nuk duhej të vija këtu sepse nën udhëheqjen time paskan ikur nga Shqipëria 1 milion shqiptar. Kjo është një gënjeshtër e madhe e ligë dhe e turpshme, njësoj si ajo e autobusëve të ardhur nga Tirana që doli po nga ato gojë të liga që ofenduan shqiptarët e Greqisë që u shkrinë si lumi ne det në atë përfaqësim të Athinës.
Shqipëria e katandisur në 1.5 milionë banorë, e narkoshtetit, e mbytur në korrupsion, ku s’ka as punë as shpresë, ekziston vetëm në humnerën e atyre gojëve që përndjekin tokën e fëmijë të Shqipërisë që kur Shqipëria shpalli pavarësinë”, u shpreh ai.
Rama e mbylli takimin me shqiptarët e Italisë duke u bërë thirrje dhe ftesë që të kthehen në Shqipëri dhe të investojnë në vendin e tyre.
“Ai që do kthehet më shpejt, do ketë më shumë vite në paqe, për shpirtin e ndarë në dysh. Nuk jeni të detyruar të zgjidhni o njërën o tjetrën mes të dyjave, sepse e keni mundësinë, këtu me halle andej me zemër. Por edhe me punë edhe me zemër, edhe këtu edhe atje.
Koha e mirë e Shqipërisë ka ardhur. Koha e ribashkimit përfundimtar me familjen europiane.
Sot udhëheqësit vijnë në Durrës, sot në Shqipëri jetojnë 20 mijë italiane dhe numri rritet çdo javë. Afro 1 mijë të rinj e të reja studiojnë në Shqipëri, 3 mijë biznese janë italianë, shumë italianë vijnë në fundjavë. Sa shumë është shtrenjtuar jeta juaj këtu në Itali, ndërkohë kam një ftesë për t;ju bërë, të gjithë shqiptarëve që punojnë në hoteleri turizëm, informohuni vetë, jo nga ekranet, jo nga kanalet e mbushura me vrer politikë, informohuni sa janë pagat, sa merr dikush që punon në hoteleri dhe bëni llogarinë. Kush vjen i armatosur me dijen, është i fituar”, deklaroi ai.