Kandidatja për eurokomisionere e Zgjerimit, zyrtarja sllovene Marta Kos, deklaroi se ajo nuk do t’i ndiqte tendencat e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë. Këto komente i bëri duke folur në një seancë dëgjimore në Parlamentin Europian (PE), ku iu përgjigj pyetjeve të deputetëve në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së.
Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo. Jo! Komisioni Europian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca.
Kos u pyet lidhur me idetë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas deputetit që bëri pyetje, mund të kthehen përsëri në tryezë pas fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale amerikane. Administrata e mëparshme e Trump-it ka thënë se nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes tyre, me kusht që Prishtina dhe Beogradi do të përpunonin një “zgjidhje të kënaqshme reciproke”.
Kos është pyetur gjithashtu lidhur me rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës e Serbisë. Ajo shprehu gatishmërinë për të punuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet në postin e Përfaqësues për Politikën e Jashtme të BE-së e të marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve fqinje.
Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Eshtë bërë shumë formalisht deri me tani.
Po ashtu u shpreh se pret nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Unioni. Por Kos paralajmëroi se “nëse gjërat nuk shkojnë”, duhet të gjejnë një rrugë të re. Duke e cituar Albert Ajnshtajnin u shpreh se “është çmenduri të vazhdosh ta bësh të njëjtën gjë çdo ditë dhe të presësh rezultat tjetër”.