Kandidatja për eurokomisionere Zgjerimi, Marta Kos, vlerëson se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi që respektivisht, t’i përmbyllin deri në vitin 2026 e 2027, bisedimet për anëtarësimin në Bllok. Komentet i bëri duke folur në një seancë dëgjimore në Parlamentin Europian ku dhe iu përgjigj pyetjeve të deputetëve në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së. Zyrtarja sllovene shpreson që të mund të marrë pëlqimin e komisionit për t’u emëruar në postin e komisioneres europiane për Zgjerimin.
Gjatë seancës dëgjimore vuri në dukje se do të jetë e “përkushtuar” për ta përshpejtuar procesin e Zgjerimit dhe se do ta mbajë si parim qëndrimin se “vendet kandidate duhet të anëtarësohen në bazë të meritave e përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim”.
Sot, për herë të parë pas 10 vjetësh, ekziston një mundësi reale për t’i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027.
Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht tre. Pas disa vitesh bllokimi, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon për mbylljen e tyre. Në anën tjetër, vendi ynë e hapi kapitullin e parë të negociatave me Bashkimin Europian, më 15 tetor.
Kos theksoi se nëse emërohet, ajo do të ngulë këmbë që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet ndaj vendeve në procesin e Zgjerimit. Por nuk është e qartë nëse do të emërohet se sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në PE, besohet se mund të jetë një nga kandidatet e refuzuara.
Për këtë post, u propozua në shtator nga presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Nëse konfirmohet, Kos do të zëvendësojë Oliver Varhely-in. Kos u pyet edhe për rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës e Serbisë. Ndërkaq, shprehu gatishmërinë për të punuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet në postin e Përfaqësues për Politikën e Jashtme të BE-së e të marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve fqinje.