Aktualitet

Kandidati për ambasador në Kinë: Hapje e tregut kinez për eksportet shqiptare

Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Riza Podën, kandidat për ambasador në Kinë, rezident, si dhe në Bangladesh, në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, në Republikën Popullore Socialiste të Vietnamit, në Mongoli dhe Mbretërinë e Tajlandës, jorezident.

Gjatë prezantimit të programit të tij, Poda u shpreh se mungesa e një linje direkte fluturimi Pekin-Tiranë-Pekin përbën një nga shkaqet jofavorizuese si për rritjen e shkëmbimeve tregtare ashtu edhe për numrin e vogël të turistëve kinezë në vendin tonë.

Poda tha se hapja e linjës direkte Pekin-Tiranë-Pekin do të jetë një nga sfidat dhe objektivi parësor gjatë mandatit të tij si ambasador në Kinë.

Sipas tij, Kina përbën një treg me përmasa kontinentale me potencial kolosal tregtar dhe turistik të pashfrytëzuar si duhet nga ana jonë për arsye të ndryshme.

“Një linjë ajrore direkte që lidh të dyja vendet besoj se do të shënojë një bum të pallogaritshëm të fluksit të turistëve kinezë drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

Në 3 mandatet që kam kryer në shtete të tjera kjo është realizuar. Me Greqinë u vendos linjë direkte, po ashtu me Republikën Çeke dhe Kroacinë. Kjo ka një ndikim të jashtëzakonshëm në bashkëpunimin dypalësh. Nuk është thjesht dëshirë, por mbështeten në treguesit në rritje të fluksit turistik nga Kina”, tha Poda.

Sipas tij, vendosja e një linje direkte fluturimi do të ndikojë në hapjen më shumë të tregut kinez për eksportet shqiptare.

“Kjo do të realizohet fillimisht përmes finalizmit të dy protokolleve për eksportet e produkteve bujqësore”, shtoi Poda.

Në këtë drejtim, Poda tha se objektiv i mandatit të tij do të jetë edhe hapja e tregut kinez për eksportet e bulmetrave dhe mjaltit dhe produkteve të tjera të frutikulturës, agrikulturës dhe produktet e detit.

Poda theksoi se “Kina është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë për vitin 2023, me tendencë rritje për vitin 2024”.

Duke u ndalur te marrëdhëniet mes dy vendeve, ai theksoi se i konsideron të rëndësishme marrëdhëniet me Kinën bazuar në raportet historike mes dy vendeve.

Poda tha se forcimi i dialogut dypalësh ndërshtetëror në të gjitha nivelet, si dhe mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve që zhvillojnë aktivitete në Kinë, do të jenë të tjera prioritete të tij.

“Do të ruaj qëndrime elastike dhe të balancuara në përcjelljen e mesazheve të interesave të Shqipërisë në marrëdhëniet dypalëshe dhe njëkohësisht të qëndrimeve tona si vend kandidat për anëtarësim të plotë në BE për çështje të ndjeshme për Kinën”, tha ai.

Top Channel