Bota

Kancelari Scholz mbron vendimin mbi dërgimin e raketave amerikane në Gjermani!

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, sërish hedh poshtë frikën se vendosja e planifikuar e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në Gjermani mund të çojë në një përshkallëzim të marrëdhënieve me Rusinë.

Armët synojnë një parandalim, tha Scholz pas një takimi me kryeministrin japonez Fumio Kishida në kryeqytetin Berlin. Ajo për të cilën ne shqetësohemi gjithmonë është parandalimi i një lufte.

Në fillim të kësaj jave, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan një marrëveshje për stacionimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në territorin e Gjermanisë duke filluar nga viti 2026. Kjo është hera e parë që të tilla armë vendosen në Gjermani që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Armët amerikane do të përfshijnë raketat balistike “Tomahawk” me një rreze veprimi deri në 2 mijë e 500 kilometra, të afta për të goditur thellë në territorin rus, si dhe raketa të mbrojtjes ajrore “SM-6” dhe armë hipersonike, të zhvilluara rishtazi.

Kancelari u zotua përsëri se Gjermania do të kontrollonte dërgesat e saj të armëve në Ukrainë, në mënyrë të tillë që ato të mos çonin në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Moskën.

Eshtë po aq e qartë se vendimet që marrim këtu kanë gjithmonë në mendje sigurinë e vendit tonë dhe të aleancës. Kjo përfshin sigurimin që ne të jemi mjaft të fortë, u shpreh kancelari Scholz. Po ashtu, një gjë e tillë përfshin mbrojtjen ajrore dhe mundësinë e parandalimit, natyrisht, theksoi Scholz.

Zyrtarët rusë kanë reaguar ashpër ndaj njoftimit, duke akuzuar Gjermaninë, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nxitje të tensioneve e shtyrje drejt një gare armësh. Zv.ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov foli për një “lidhje zinxhir në kursin e përshkallëzimit” të NATO-s dhe SHBA-ve kundrejt Rusisë ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov pohoi se vendi i tij dhe NATO “janë në rrugën e duhur drejt një Lufte të Ftohtë”.

Anëtarët e NATO-s u bashkuan kundër Rusisë, në mbështetje të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara do të nisin dislokimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani më 2026-ën. Ky konsiderohet hap i madh që synon të luftojë atë që aleatët e cilësojnë “kërcënimin në rritje që Rusia paraqet për Europën”.

Po ashtu, NATO paralajmëroi se më shumë ndihmë do t’i dërgohet Ukrainës, që përballet me pushtimin rus që nga shkurti 2022. Në deklaratën e Aleancës në Uashington u theksua se vendet anëtare synojnë t’i ofrojnë Ukrainës të paktën 40 miliardë euro ndihmë ushtarake më 2025-ën. Në të njëjtin dokument u përdor gjuhë më e ashpër ndaj Kinës, duke e akuzuar Pekinin se “mundëson” përpjekjet e luftës ruse.