Bota

Kancelari Nehammer: Shumë serioz kërcënimi terrorist në Vjenë!

Kancelari austriak, Karl Nehammer tha se  ishte “shumë serioz” kërcënimi terrorist pas anulimit të tre koncerteve të Taylor Swift-it në Vjenë.

Falë bashkëpunimit intensiv mes policisë sonë e DSN-së së sapoformuar (Drejtoria e Sigurimit të Shtetit dhe Inteligjencës) me shërbimet e huaja, kërcënimi u njoh paraprakisht dhe u parandalua një tragjedi.

Anulimin e koncerteve e quajti një “zhgënjim të hidhur” për fansat, duke shtuar se “situata rreth sulmit të dukshëm terrorist të planifikuar në Vjenë ishte shumë serioze”. Kancelari theksoi se vijon hetimi.

Eshtë me origjinë shqiptare i arrestuari në Austri si i dyshuar në planifikimin e një sulmi terrorist në koncertet e artistes së njohur amerikane, Taylor Swift në Vjenë, të planifikuara për sot, nesër e të shtunën, por që u anuluan.

Sipas mediave, familja e tij i ka rrënjët në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut. Të gjithë pjesëtarët kanë nënshtetësi austriake e nga Vjena janë shpërngulur në qytetin Ternitz, ku u bë arrestimi i 19-vjeçarit. Nuk përjashtohet që i riu të jetë ndikuar nga ekstremistët kur siç treguan fqinjët, “papritur një ditë u shfaq me mjekër si talebanët”. Më tej shtuan se kanë parë një grua me burka në banesën e 19-vjeçarit, i cili punonte në një laborator e dyshohet se grabiste kimikate që mund të përdoreshin për të përgatitur eksplozivë.

Për goditjen e ideuar, zyrtarët austriakë u informuan nga një shërbim sekret i huaj. U arrestuan dhe dy 17-vjeçarë, si të dyshuar për të njëjtin sulm të planifikuar. Media austriake “Kurier” raporton se për të njëjtin rast janë në kërkim dhe dy persona të tjerë ndaj u vendos të anulohen të gjitha koncertet e Swift-it në Austri.

Raportohet se shërbimi sekret i një vendi tjetër, por që nuk bëhet i ditur gjeti videon e njërit prej të dyshuarve ku ai deklaronte besnikëri ndaj Shtetit Islamik, si ato që zakonisht i paraprijnë një sulmi terrorist si provë për marrjen e përgjegjësisë nga ISIS-i.