Bota

Kanadaja pengon pajisjet Huawei për 5G-në!

Në Kanada, kompanitë e telefonisë nuk do të lejohen të instalojnë pajisje të Huawei-t në rrjetin 5G. Qeveria i bashkohet të tjera vendeve aleate në vendosjen e ndalesës për kompani kineze të teknologjisë.

Ne po bëjmë të ditur qëllimin tonë që të ndalojmë përfshirjen e produkteve dhe shërbimeve të Huawei-t e ZTE-së në sistemet e telekomunikacionit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Australia, Zelanda e Re dhe shtete të tjera, tashmë i kanë ndaluar apo kufizuar pajisjet nga Huawei në rrjetet e tyre 5G. Në ndalesën e Kanadasë përfshihet edhe ZTE, një tjetër kompani e madhe kineze e teknologjisë, që rezulton në pronësi të shtetit.

Firmat kanadeze që kanë përdorur pajisje të kompanive kineze, nuk do të kompensohen. Ka shumë aktorë armiqësorë që janë të gatshëm të shfrytëzojnë dobësitë në mbrojtjen tonë.

Kina e dënoi këtë vendim, duke deklaruar se “kjo është një formë e manipulimit publik që kryhet në koordinim me SHBA-të dhe ka për qëllim shtypjen e kompanive kineze, në kundërshtim me parimet e tregut të lirë”.

Prej kohësh, qeveria amerikane ka lobuar tek aleatët, përfshirë Kanadanë, që të përjashtojë Huawei-n nga 5G, për shkak të shqetësimeve se drejtuesit komunistë të Kinës mund ta detyrojnë këtë kompani që të ndihmojë për spiunazh kibernetik.

Po ashtu, Amerika paralajmëroi se do të shqyrtojë mundësinë e ndarjes së informacioneve të inteligjencës me çdo vend që përdor pajisje Huawei ndërsa vazhdimisht, Huawei i hedh poshtë akuzat. Kjo kompani ka një prani disa vjeçare në Kanada dhe numëron mbi 1 mijë e 500 të punësuar.

Zhvillimi i rrjeteve 5G u mundëson njerëzve lidhje më të shpejta në internet dhe u ofron kapacitet më të madh të të dhënave. Huaëei është furnizuesi më i madh në botë i pajisjeve të rrjetit për kompanitë telefonike e të internetit. Kjo kompani ka qenë simbol i përparimit në Kinë për t’u bërë fuqi botërore në fushën e teknologjisë. Por, po kjo kompani ka ngritur shqetësime të sigurisë në SHBA. Disa analistë thonë se “firmat kineze shkelin rregullat dhe normat ndërkombëtare e vjedhin teknologji”.