Aktualitet

Kampi në Gjadër/ Vijon intervistimi dhe kontrollet mjekësore për refugjatët nga Bangladeshi dhe Egjipti

Prej me shumë se 6 orësh refugjatët bangladeshas dhe ata egjiptianë vijojnë të jenë brenda qendrës pritëse në Gjadër.

Burime nga brenda bëjnë me dije se vijon intervistimi i tyre, po bëhen procedurat për plotësimin e dokumentacioneve për azil e po ashtu janë kryer të gjitha kontrollet mjekësorë.

Aktualisht vijojnë të qëndrojnë brenda edhe pse ishte thënë qe do dilnin rreth orës 16:30.

Një anije italiane me grupin e parë të emigrantëve, sot në mëngjes arriti në Portin e Shëngjinit duke shënuar fillimin e zbatimit të një plani të diskutueshëm për të përpunuar mijëra kërkesa për strehim jashtë Italisë. Qeveria italiane ka ngritur dy qendra pritëse në vendin tonë, në të parën marrëveshje të këtij lloji, sipas të cilës, një vend i Bashkimit Europian i dërgon emigrantët në një vend që nuk është pjesë e Bllokut, në përpjekje për të penguar emigracionin e paligjshëm.

Anija “Libra” e marinës ushtarake italiane u ankorua në portin e Shëngjinit me 16 emigrantë meshkuj, të cilët u shpëtuan në det të dielën. Dhjetë prej tyre janë nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, vende që konsiderohen si “të sigurta” nga Italia.