Kamionistët polakë që kanë bllokuar kufirin me Ukrainën që prej nëntorit duke kërkuar barazi transportesh me fqinjët, kanë rënë dakord sot të pezullojnë protestën pas një marrëveshjeje te përkohshme me qeverinë.
Ministri polak i infrastrukturës tha se ishte arritur marrëveshja për kërkesat e kamionistëve, por këta të fundit shtonin se do të riktheheshin në grevë nëse ato nuk plotësohen.
“Nënshkruam një marrëveshje, rezultati saj është ndërprerja e protestës në tre pika rrugore kufitare me Ukrainën: Korczowa, Hrebenne, Dorohusk,” tha sot ministri Dariusz Klimczak, duke shtuar se shoferët kanë pranuar të ndalojnë protestën për dy muajt që do të zgjasin negocjatat.
Kamionistët kërkojnë që BE të rivendosë kriteret e mëparshme për operimin e kompanive ukrainase në bllokun e BE, pas lehtësirave që iu akorduan atyre prej luftës me Rusinë.
Shoferët kërkojnë gjithashtu që kamionët pa mall nga BE të përjashtohen nga sistemi i radhës elektronike në Ukrainë.
Kriteret tregtare në fjalë janë hequr që prej nisjes së konfliktit në shkurt 2022, por kjo ka krijuar konkurrencë të padrejtë nga Ukraina dhe ka dëmtuar të ardhurat e polakëve në kohë krize.
Protesta e tyre ka krijuar radhë kilometrike automjetesh të rënda duke ndaluar kalimet ukrainase drejt BE.
Bashkë-organizatori i protestës Rafal Mekler tha për çështjen: “Qeveria ka dhënë disa premtime me një afat të caktuar kohor për plotësim. Ne nuk po kapitullojmë, por nëse nuk arrijmë një zgjidhje do të rikthehemi në kufi”.
Marrëveshja e postuar në rrjet nga Mekler parashikon nisjen e kërkesës drejt BE për mbështetje financiare për shoferët polakë për kompensimin e humbjeve.
Një tjetër pikë është monitorimi i përbashkët i zgjidhjeve si nga Polonia dhe nga Ukraina, dhe kontrolli i kamionëve ukrainas që ofrojnë shërbime të papërfshira në marrëveshjen tregtare BE-Ukrainë.
BE kishte hequr kërkesën e lejeve për transportet ukrainase që hyjnë në bllokun e 27 vendeve, ku bën pjesë dhe Polonia, që prej nisjes së luftës me Rusinë.
Kievi eshte ankuar se bllokada dëmton të dyja vendet dhe se nuk ka marrë kërkesa nga kompanitë polake për arritjen e një marrëveshjeje.