E ftuar në emision “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin në këtë episod ka qenë Anxhela Peristeri. Këngëtarja e njohur ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me karrierën e saj si ka nisur gjithçka. Një rrugëtim pas në kohë që në fëmijërinë e saj dhe deri sot.
Largimi i Anxhelës nga Shqipëria për në Greqi si ka qenë?
Faktikisht viti i parë për mua ka qenë pak i vështirë. Vajta në një shtet të huaj sigurisht pa ditur as gjuhën sepse në atë kohë nuk flisja greqisht thjesht dija vetë disa këngë përmendësh.
E mora këtë iniciativë sepse doja diçka të re, doja një fillim të ri. Një vend me një muzikë që më pëlqente që prej asaj kohe. Ka qenë Devis Xherahu ai që ma ka mbushur mendjen. Viti i parë ka qenë i vështirë sepse ika edhe pa familjen, sigurisht që kam ndjerë një lloj racizmi jo vetëm nga grekët mund të them edhe nga disa goca që punonin me lulet dhe ishin bullgare. Ato më bullizonin. Është ai njeriu i ri që erdhi papritur në një vend që nuk njeh njeri. Edhe kam qarë edhe jam mërzitur por është një pjesë tani që nuk e kujtoj dot fiks sepse sikur më është fshirë nga truri sepse edhe vitet që pasuan ishin vërtet të bukura.
Më tej Anxhela tregoi se:
Kam shkuar në një audicion tek i cili më kanë marrë menjëherë pasi këndova një këngë në anglisht dhe në greqisht. Kam filluar punë në mes të sezonit dhe është hequr një këngëtare tjetër që jam marrë unë. Në atë buzuk punonin emra shumë të mëdhenj në atë kohë dhe unë kam punuar për tre vite.