Këngëtarja e njohur Dolly Parton ka folur së fundmi për kujdestarinë e Britney Spears. E ftuar në “Watch What Happens Live With Andy Cohen”, Dolly shprehu publikisht mbështetjen e saj ndaj këngëtares.
Unë përpiqem të mos përfshihem në jetën e njerëzve të tjerë. Megjithatë, unë mendoj se ajo është një artiste dhe një vajzë e mrekullueshme. Unë i kuptoj të gjitha ato gjëra të çmendura. Kam kaluar shumë nga ato përmes një padie nga partneriteti me Porter Wagoner. Unë e kuptoj se nga vjen dhe si ndihet. Pra, shpresoj që gjithçka të dalë ashtu siç duhet. I uroj asaj më të mirat!
Tanimë është e ditur se jeta e Britney Spears është kthyer në fokusin e mediave rozë. Së fundmi, avokati i ri i saj, Matthew Rosengart, i ka kërkuar një gjykate në Los Angeles që të caktojë një kujdestar të ri mbi pronën e këngëtares dhe në të njëjtën kohë të parandalojë babanë e saj, Jamie Spears, të disponojë pronat e yllit amerikan.
Në një proces gjyqësor, avokati kërkoi që llogaritari Jason Rubin të caktohet si personi që do të kujdeset për pasurinë e Britney-t në vend të babait të saj. Ndërkaq, Rosengart ka depozituar një peticion publik duke kërkuar që babait të këngëtares së famshme t’i pengohet hyrja në pronë pas 13 vjetësh që në fakt është hapi i parë që avokati premtoi të merrte pas marrjes së detyrës.
Mbështetja publike për këngëtaren u rrit veçanërisht pas dëshmisë, në të cilën e quajti pozicionin e babait të saj plotësisht të dhunshëm dhe poshtërues. Spears deklaroi se qëllimi i saj përfundimtar është heqja e plotë e kujdestarisë, ndërsa deklaroi gjithashtu se nuk ka në plan të performojë për sa kohë që babai i saj ia kontrollon jetën dhe karrierën.
Megjithatë, njerëzit pranë saj, duke përfshirë këtu menaxherin e Britney Spears, Larry Rudolph ka vendosur të japë dorëheqjen. Sipas mediave, ai ka kërkuar të dalë në pension dhe është shprehur se nuk dëshiron të jetë i përfshirë në çështjen e kujdestarisë. Edhe avokati, Samuel D. Ingham III, kërkoi të japë dorëheqjen nga çështja e saj e kujdestarisë.
Rikujtojmë, se Britney mori mbështetje nga shumë kolegë të saj, përfshirë këngëtaren Christina Aguilera, ish-të dashurin e saj Justin Timberlake si dhe nga partneri aktual i saj Sam Asghari. Gjithashtu, reperja Iggy Azalea, ka deklaruar se ajo ka qenë dëshmitare e sjelljeve abuzuese të babait të këngëtares.