E ftuar në “Live from Tirana” ishte gazetarja Zhaklina Gjolla për të folur rreth pushimeve të verës dhe eksperiencave të saj. Të gjithë jemi unikë dhe kemi nevojë për diçka unike, por eksperiencat e të tjerëve mund të na ndihmojnë të zbulojmë çfarë duam.
Ku preferon t’i bësh pushimet, brenda Shqipërisë apo jashtë saj?
Nuk do të doja t’i ndaja ashtu, jo vetem ato verore por edhe dimëroret. Më pëlqejnë brenda dhe jashtë, varet shumë nga momenti në jetë, çfarë kerkoj dhe mundësitë që kam, patjetër. Është një paketë rrethanash që më bën të zgjedh.
Janë thjesht pushime apo dëshiron të eksplorosh?
Do të thoja të dyja. Më pëlqen shumë dhe vetëm të shtrihem, të marr një libër, të hyj në det çdo 10 minuta, të lexoj librin, të pi kafen e pasdites dhe pse jo të notoj prapë. Më pëlqen deti. Nga ana tjetër, sigurisht kur nuk është kjo vapë që të bie në kokë si gong, më pelqen të eksploroj. Tani afër isha tek Kepi i Rodonit. Bëra një ecje në këmbë deri tek kalaja e Skënderbeut dhe doja që të gjeja një vend për të bërë plazh, por nuk i kishin pastruar plehrat akoma. Në përgjithësi, përgatis 2 ose 3 gjëra kryesore në bazë se ku po shkoj, si për shembull çizme për në mal, por preferoj që të surprizohem.
Sipas teje, çfarë i bën disa pushime të paharrueshme?
Do të thoja të ‘jetosh’ një vend që ke shkuar. Personalisht kam disa pushime që e përmbushin këtë kriter. Për shëmbull një herë në Itali ku bëmë një aksident me makinë dhe na thanë mos ta merrnim më atë, por si shqiptarë e morëm dhe lëvizëm nëpër Itali. Ishte shumë rrëmujë por u kënaqëm shumë. Ose një herë tjetër në Islandë, ishim një grup prej 3 vetash dhe përsëri udhëtuam me makinë, por u detyruam të merrnim bukë me vete sepse kishte shumë natyrë, ishte vërtet diçka komplet tjetër. Gjithashtu në Athinë, ku gjetëm një grup me grekë dhe na dhanë disa sugjerime se ku të shkonim, që ne i ndoqëm e më pas takuam një grup tjetër. Ndodhi të tilla i gjallërojnë pushimet.
Cili është destinacioni më i parapëlqyer në Shqipëri?
Dhërmiu, e adhuroj detin e tij. Mund të ketë 100 probleme me abuzimin e çmimeve, por kam gjetur një vend ku nuk abuzojnë tmerrshëm me to (qesh). E di ku fle, ku ha dhe ku bëj plazh. S’ka mbingarkesë me njerëzit dhe është shumë pastër.