Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom nënshkroi një projekt-ligj që kërkon që shkollat të kufizojnë ose ndalojnë përdorimin e telefonave inteligjentë. Vendimi erdhi mes një konsensusi në rritje se përdorimi i tepërt mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve mendore dhe të dëmtojë të mësuarit. 13 shtete të tjera këtë vit kanë ndaluar ose kufizuar telefonat celularë në shkollë ose kanë rekomanduar mësuesit vendas ta bëjnë këtë, pasi Florida udhëhoqi rrugën duke ndaluar telefonat në klasë në 2023.
Projektligji i Kalifornisë, i cili kaloi 76-0 në asamblenë e shtetit dhe 38-1 në senat, kërkon që bordet e shkollave ose organet e tjera drejtuese të zhvillojnë një politikë për të kufizuar ose ndaluar përdorimin e telefonave inteligjentë në kampus deri më 1 korrik 2026 dhe të përditësojnë politika çdo pesë vjet. “Ne e dimë se përdorimi i tepërt i telefonave inteligjentë rrit ankthin, depresionin dhe çështje të tjera të shëndetit mendor por ne kemi fuqinë për të ndërhyrë. Ky ligj i ri do t’i ndihmojë nxënësit të përqendrohen në akademikët, zhvillimin social dhe botën përballë tyre, jo ekranet e tyre, kur ata janë në shkollë”-tha Newsom në një deklaratë.
Legjislacioni për ndalimin e telefonave në shkolla është propozuar në shumë shtete, madje në një pjesë të konsiderueshme të tyre edhe është miratuar. Sipas Qendrës Kombëtare për Statistikat e Arsimit shumica e shkollave tashmë kanë përshtatur politika që ndalojnë përdorimin e aparateve celularë për përdorim joakademik. Megjithëse shumë prindër shprehen skeptikë për këto politika, pasi duan që të jenë në gjendje që të kontaktojnë me fëmijët e tyre për raste urgjente.
Por hulumtimi i fundit i ekspertëve këmbëngul që fëmijët nuk duhet të kenë fare telefon me vete në ambientet e shkollës. Sipas të dhënave rreth 97% e fëmijëve nga mosha 11 deri në 17 vjeç përdorin telefonat e tyre gjatë kohës së qëndrimit në shkollë për një interval kohor mesatar, 43 minutash. Ndërkaq, gjenerata Z sot heziton të flasë në telefon, ndihen shumë rehat duke biseduar me shkrim apo duke regjistruar mesazhe zanore.
Kjo u zbulua nga një sondazh i kryer nga kompania e shërbimeve Uswitch duke testuar 2000 të rinj. Sipas sondazhit, një e katërta e njerëzve të moshës 18- 34 vjeç nuk përgjigjen kurrë në telefon. Shumë herë fëmijët e injorojnë zilen e telefonit dhe gati 70% e tyre kalojnë direkt në “chat” për të parë se cili i telefonoi apo çfarë problemi ka. 37% e moshave 18-34 vjeç preferojnë shënimet zanore për të komunikuar, krahasuar me vetëm 1% të njerëzve të moshës 35-54 vjeç.