Rreth 1000 vjet më parë, filloi ndërtimi i një kalaje të mrekullueshme në brigjet e Francës. Ajo do të shndërrohej shumë shpejt në një simbol të forcës kombëtare, pasi arrinte t’i bënte ballë ujërave të rrëmbyeshme të Oqeanit Atlantik. Kalaja mesjetare në Mont Saint-Michel konsiderohet një krijim mahnitës, i cili ka luajtur një rol vendimtar në historinë franceze.
Ajo shtrihet saktësisht në brigjet e rajonit të Normandisë, në perëndim të Parisit dhe ka tërhequr me qindra legjione pelegrinësh, përgjatë shekujve. Ndërsa sot është një nga atraksionet turistike më të njohura duke u vizituar nga 1.3 milionë turistë çdo vit.
E quajtur “çudia e botës perëndimore”, historia e Mont-it shkon prapa në vitin 709, kur u ngrit një vend i shenjtë për nder të Shën Mihail Kryeengjëllit. Abacia ka dëshmuar momente kyçe të historisë franceze, sidomos gjatë Luftës 100-vjeçare të shekullit të 14-të dhe 15-të.
Ajo gjithashtu i mbijetoi një rrethimi 30-vjeçar nga britanikët. Gjatë Revolucionit Francez të shekullit të 18-të, u shndërrua në burg. Deri në vitin 1863, 14.000 të burgosur qëndronin të izoluar në këtë kala, ku baticat dhe toka e lagur e bënin të pamundur arratisjen. Familjet e të burgosurve zëvendësuan pelegrinët që dikur marshonin në atë vend, të cilin e konsideronin të shenjtë.
Gjatë periudhës “Belle Époque”, para Luftës së Parë Botërore, ky monument nisi të njihej në mbarë botën si atraksion turistik. Një nga ambientet më të famshme të kalasë është bujtina Mère Poulard e kuzhinieres brilante Annette Poulard, e cila priti vizitorë nga viti 1888 e deri në fund të jetës së saj.
Këtë muaj, kalaja feston 1000 vite nga themelimi i saj, ndaj pritet të ketë vizita nga një numër i jashtëzakonshëm turistësh. Fshati Mont për këtë ngjarje do të organizojë koncerte të shumta, konferenca, si dhe një shfaqje vizuale të quajtur “Millennium Solstice”. Vizitorët gjithashtu do të shijojnë një ekspozitë për historinë dhe arkitekturën e Mont Saint-Michel, deri në nëntor.