Lifestyle Live From Tirana

Kafshët e egra si aksesorë, si është parë nga sytë e Kornelia Kokonas koleksioni më i fundit i Gucci-t!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio specialistja e trajnimit të qenve, Kornelia Kokona për të na folur rreth koleksionit më të fundit të Guccit teksa ka përdorur kafshët e egra si aksesorë duke i nxjerrë jashtë natyrës së tyre. Kjo situatë ka gjeneruar protesta sepse nuk është pritur aspak mirë nga njerëzit. Si e gjykon Kornelia këtë si një profesioniste e fushës?

Fushata që Gucci ka bërë për të prezantuar koleksionet e veta mendoj që është e gabuar duke përdorur një kafshë të egër si tigri si një kafshë shtëpiake, duke i dhënë idenë njerëzve që tigri mund të mbahet në shtëpi dhe duke i hequr atij mundësinë e të jetuarit në habitatin e tij. Duke e menduar pak më thellë mendoj që mbajtja e kafshëve të egra si kafshë shtëpiake i dëmton ata si nga ana psikologjike edhe fizike. Një kafshë e egër kërkon hapësirë më të madhe, të gjuajë kafshë të tjera ndërkohë që ne nuk e vleresojmë këtë kafshë në këtë mënyrë por e vlerësojmë si diçka tjetër dhe ia heqim instiktin si kafshë e egër. Disa njerëz e mendojnë si arritje që ajo kafshë ka bërë një foto por jeta e atij kafshe nuk vlen më sepse nuk është më i lumtur.

Të tilla sete fotografike janë bërë me vite me kafshë të ndryshme. Pse pikërisht tani ky reagim?

Mendoj që ndër vite organizatat e kafshëve janë shtuar dhe njerëzit janë bërë më të ndërgjegjshëm. Vite më parë ekzistonin shumë pak organizata dhe ishte e vështirë të ndërhynin në mendjen e njerëzve ndërkohë që sot një pjesë e madhe e njerëzve i duan kafshët. Është shtuar shumë marrja e një qeni apo e një mace në shtëpi dhe në këtë mënyrë është rritur empatia edhe për kafshët e tjera.

Si mund ta rikthejmë në identitet një kafshë të zbutur?

Duke marr shkas nga eksperienca ime me një zonjë spanjolle që kemi themeluar organizatën e parë për kafshët në Shqipëri, me rastin e dy arinjve që mbaheshin në një restorant te mbyllur, në gjendje të mjerueshme, ushqeheshin 1 herë në javë. Duke u mbajtur 2 vite rresht aty në gjendje të mjerueshme, gjetëm mundësinë të konktaktonim me organizatat jashtë dhe tani arinjtë janë në një rezervat në Rumani dhe janë të lumtur. Na dërgojnë foto dhe video të tyre. Komplet pylli që ata kanë është i mbyllur, ushqimi është i siguruar, kanë kujdes veterinar. Kafshë të tilla të zbutura mund të bëhen pre e kafshëve të tjera dhe kështu nuk do ta kenë jetën e gjatë sepse nuk do të dinë të mbijetojnë.