Politikë

Kadilli kërkon dorëheqjen e Bashës: Model që ka shteruar, kandidoj për kreun e PD-së!

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, ka bërë përgjegjës kryedemokratin Lulzim Basha për humbjen e PD-së në zgjedhje, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e tij si kryetar i kësaj partie. Me një postim në Facebook, Kadilli thotë se Basha është një figurë që ka shteruar, ndërsa ka shpallur edhe kandidaturën e tij për të garuar për të garuar për postin e kreut të PD-së.

Duke ndjerë keqardhje dhe solidarizim të plotë me sakrificën e demokratëve dhe strukturave të partisë gjatë një opozite 8 vjeçare, jo pak here edhe të pabusull, kërkoj largimin e menjëhershëm nga funksionet drejtuese dhe dorëheqjen e Lulzim Bashës. Jo vetëm për faktin se partia gjendet sot përballë humbjes së tretë, por më shumë se kaq, ky është një model që ka shteruar. Me anë të këtij akti, ai jo vetëm njeh përgjegjësitë për rezultatin, por edhe respekton një standard të vendosur në Partinë Demokratike nga paraardhësi dhe themeluesi i kësaj force, Sali Berisha. I bëj thirrje Kryesisë të mblidhet sa më shpejt dhe të përcaktojë modalitetet e garës për lidershipin e ri. Nuk kemi kohë për të humbur. Përpara shqiptarëve kemi misionin për një opozitë të re! Gjithashtu, shpall sot kandidimin për detyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike.

Sipas Kadillit, opozita nuk mundi ta frymëzojë mbështetjen e gjerë opozitare dhe as elektoratin gri. Ai shkruan më tej se opozita nuk kishte një propozim fitues për Shqipërinë dhe se alternativa e vetme ishte kryetari i partisë “që u dëshmua përsëri e pamjaftueshme”.