Aktualitet Politikë

“Ka vetëm një PD”, Basha takon strukturat e partisë në Kamëz: Kemi zgjedhur aleancën me SHBA dhe BE.

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar këtë të diel një takim me strukturat e partisë në Kamëz.

Gjatë bashkëbisedimit me to, Basha tha se ka vetëm 1 Parti Demokratike, që ka marrë vendime të mëdha në Kuvendin e 18 dhjetorit.

Ai theksoi më tej se nuk do të lejojë LSI-në e as bishtat e tjerë të përfitojnë, ndërsa shtoi se betejën e kanë me Edi Ramën dhe korrupsionin e madh që kanë gërryer shqiptarët.

“Këtu duhet të jemi të qartë. Këtu nuk ka vend për paqartësi. Kush është i paqartë për këtë ose s’bën për politikë ose I djeg miza nën kësulë.
Ka një PS, ka një LSI. Ka një dhe vetëm një PD. Dhe kjo PD ka marrë vendime të mëdha, me legjitimitet të plotë në Kuvendin Kombëtar të 18 Dhjetorit: Vendim për tu ndarë nga hijet e të shkuarës. Dy nga zotimet tona të para disa muajve kanë hedhur hapin e parë. Në parlament janë detyruar, ndryshe nga sa thonë, të pranojnë komisionin parlamentar për reformën zgjedhore dhe komisionin parlamentar për reformën territoriale. Njësoj si në komisionin e inceneratorëve ne do të luftojmë fuqishëm për shqiptarët, do të luftojmë fuqishëm që shqiptarëve tu mundësohet një sistem zgjedhor që iu garanton dinjitetin, lirinë, fshehtësinë e votës, të paktën si në Kosovë, ku siç e shikoni brenda një jave janë në gjendje të organizojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nuk do të lejojmë ne as LSI-në, as bishtat e tjerë të përfitojnë, ndërkohë që ne jemi në betejë me Edi Ramën, në betejë me korrupsionin më të madh në Ballkan në 30 vite, të rrimë duke gërryer me njerëz që kanë humbur çdo vetëdije demokrati dhe që shërbejnë pa pikë dinjiteti, shpeshherë edhe të paguar njësoj siç bën kundërshtari politik.

Tani ta mbyll me diçka që ma mbush zemrën plot, jo vetëm mu, por besoj dhe ju. Gjysmën e sallës e shoh me rini. Faleminderit që jeni këtu! Kjo është Partia Demokratike me vetëdijen që një forcë politike e ka të domosdoshme të ripërtërij vetveten, ja ku i kemi, keni mbajtur prej dore një pjesë prej tyre, janë bijtë dhe bijat tuaja në këto vite, vite suksesesh, vite sfidash, vite dështimesh. Tani janë rritur, janë anëtarët të Forumit, janë anëtarë të Partisë Demokratike, janë në mesin tonë, janë treguesi se Partia Demokratike jo vetëm që nuk do të tkurret, por do të bëhet më e madhe, më e fortë dhe më rinore. E madhe ka lindur, më e madhe do bëhet. Rinore ka lindur, edhe më rinore do të bëhet. Kjo sigurisht nuk do të thotë që ne do të harrojmë kontributet, sepse betejat e zhvilluara nga themeluesit, nga qëndrestarët, nga njerëzit e përvojave, përfshirë këtë përvojë 8-vjeçare, janë një thesar i vërtetë, i cili i duhet shkëmbyer, i duhet dhënë, është një udhërrëfyes, nuk është diçka që jepet brenda natës, as brenda javës. Por iu ftoj që të bëni një bashkëudhëtim. Siç e bëni bashkëudhëtimin si prindi me fëmijën, bëjeni dhe bashkëudhëtimin mes themeluesve, qëndrestarëve dhe të rinjve të Partisë Demokratike”, tha Basha.