Soni Malaj ka performuar së fundmi në Merano, Itali dhe ka habitur publikun atje me vokalin e saj. Për këtë arsye media shtetërore italiane “Rai” i ka kushtuar një kronikë të veçantë artistes shqiptare. Soni ka qenë e ftuar në “Live From Tirana” për të folur më shumë për këtë eksperiencë dhe jo vetëm…
Si është marrëdhënia jote me fansat, apo edhe me ndonjë koment negativ prej tyre që mund të të kenë bërë?
Artistët kanë një menaxher, një menaxhment që krijon një lloj bllokade. Ata janë më objektiv, i shikojnë gjërat pa emocione dhe janë shumë të kujdesshëm për t’ia përcjellë artistit. Unë nuk i kam lexuar kurrë komentet. Një artist nuk mund të bëjë atë që i thonë të tjerët sepse nuk mund të jetë unik. Do ta ketë gjithmonë ‘fan-bazën’ që do ta pëlqejnë për atë që është. ‘Haters’-a nuk kam pasur kurrë për shkak të profilit që kam mbajtur. Nuk kam pasur skandale.
Çfarë të pëlqen më shumë tek vetja dhe çfarë të pëlqen më pak?
Jam person shumë korrekt, me këmbë në tokë, punoj shumë. Vij nga një brez që talenti dhe puna fliste shumë dhe vetë ashtu jam ushqyer. Nuk është si sot që nëse ka baza financiare mund të blesh klikime. Për profilin që kam, që kam të dyja rrymat dhe balada dhe ritmike, më duhet të punoj shumë. Kurse diçka negative mund të them nervat. Jam pak gjaknxehtë, ndoshta geni i malësores ndikon.
Çfarë momenti të bukur të karrierës tënde mund të veçosh?
Kam pasur plot momente në karrierën time, momente qe kam fituar çmime apo kur kam pasur koncerte live. Para 2 vitesh zhvillova një koncert në Sheshin Skënderbej. Ishte live, pa pasur 20 artistë që performonin me mua. Ka qenë super. Mbaj mend që kitaristit i këputet teli i kitares kur po këndoja. Unë nuk e kutptova këtë gjë, nuk ma thanë. Unë duhet të këndoj e të kërcej kur jam në skenë, kam njerëz që të flasin në kufje dhe më mbajnë larg gjërave që mund të ndodhin. Nuk e kuptova se çfarë kishte ndodhur.
Po një moment demoralizues?
Nuk jam tipi që demoralizohem shumë. Por mund të përmend pjesëmarrjen e fundit në festival, që në sondazhe isha quajtur si fituesja. Por është garë, doli dikush tjetër fitues.