E ftuar në “Live from Tirana” ishte moderatorja Arjola Shehu për të folur rreth diferencave që meshkujt dhe femrat kanë në karrierat e tyre profesionale. Një temë shumë delikate për të gjithë, disbalanca midis dy gjinive dhe avantazheve të perceptuara që ata kanë vazhdon të përflitet.
Camila Cabello ka bërë një deklaratë ku thotë se vajzat hasin më shumë presion se djemtë, punojnë 10 herë më shumë për t’u marrë seriozisht. A mendon se është e vërtetë?
Më kujtohet një skandal në 2014 kur disa email-e dolën në dritë dhe aktorët meshkuj paguheshin më shumë se femrat, të paktën në Hollywood. Mendoj se po, është e vërtetë që gratë duhet të punojnë më shumë për t’u respektuar dhe për të vendosur pozicionin e tyre. Por, nuk do të thoja se meshkujt e kanë dhe aq më të thjeshtë.
Në deklaratën e saj, ajo gjithashtu përmendi se “Femrat përballen me një presion të ndryshëm nga meshkujt, duhet të përshtatemi”. A vlen kjo vetëm për femrat, apo dhe për meshkujt?
Besoj se nuk ka të bëjë fare me atë që tha. Ka më shumë rëndësi personaliteti sesa gjinia dhe se sa i aftë je për të vendosur veten në një pozicion të mirë. Ke parë gra ‘alfa’, le të themi, që e vendosin veten mirë dhe shumë të respektuara në shoqëri. Mos t’i japim shumë vëmendje këtyre diferencave gjinore, sepse në fund të fundit të gjithë kemi rrugëtimin tonë. Do të doja të shtoja se sot janë larguar shumë tabu të së shkuarës, kohët kanë ndryshuar dhe mund ta hapësh vetë rrugën tënde. Edhe në industri si media ose muzika, të cilat ta hapin rrugën me vështirësi, ke mjete dhe informacion të ndryshëm që të ndihmon tejmase, të gjitha të aksesueshme prej internetit.
Arjola foli pak për eksperiencat e saj personale, ku tha:
Kur fillova, pagesat ishin shumë të ulëta. Flas nga eksperienca personale, por kur dikush të piketon si talent dhe të ndihmon të ecësh përpara, vazhdon të rritet pagesa dalëngadalë. Personalisht me kolegët e mi, atëherë kur kemi folur për pagat, nuk e kam vënë re të kenë qenë më të mirëpaguar se unë. Ndryshon brezi më parë, që janë konsoliduar dhe kanë vite në profesionin e tyre.