Bota

Ka ende shpresë, bien vdekjet nga mbidozat në SHBA!

Rënia e vdekjeve në Shtetet e Bashkuara nga mbidoza e drogës duket se ka vazhduar edhe këtë vit, duke u dhënë ekspertëve shpresën se vendi po sheh përmirësim të qëndrueshëm përsa i takon kësaj epidemie. Pati rreth 97,000 vdekje nga mbidoza në periudhën 12-mujore që përfundoi më 30 qershor, sipas të dhënave paraprake të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të publikuara. Kjo është 14% më pak nga 113,000 që u vlerësuan për vitin pararendës. “Ky është një ndryshim mahnitës dhe i shpejtë i numrave të vdekshmërisë nga mbidoza e drogës”-tha Brandon Marshall, studiues në Universitetit Brown.

Niveli i vdekjeve nga mbidoza filloi të rritej në mënyrë të qëndrueshme në vitet 1990 për shkak të qetësuesve opioidë, të ndjekur nga valët e vdekjeve të udhëhequra nga opioidet e tjera, si heroina dhe së fundmi fentanili i paligjshëm. Të dhënat fillestare patën treguar një rënie të lehtë për vitin 2023 dhe raporti tregoi se tendenca e rënies ka vazhduar. “Ka patur momente në vitet e fundit kur vdekjet nga mbidoza në Shtetet e Bashkuara kishin filluar të binin, vetëm për t’u rritur sërish”-vuri në dukje Marshall.

“Kjo duket të jetë thelbësore dhe e qëndrueshme. Mendoj se ka një arsye të vërtetë për shpresë”. Ekspertët nuk janë të sigurt për arsyet e rënies, por ata citojnë një kombinim faktorësh të mundshëm. Njëri është COVID-19. “Gjatë pandemisë pamë një rritje meteorike të vdekjeve nga mbidoza e drogës, saqë është e natyrshme që do të shihnim një ulje”-tha Farida Ahmad, nga Qendra Kombëtare për Statistikat Shëndetësore të CDC-së. Megjithatë, vdekjet nga mbidoza janë shumë më të larta se sa ishin në fillim të pandemisë COVID-19. Shifrat e fundit mund të jenë fryt i përpjekjeve prej vitesh për të rritur përdorimin e ilaçit naloxone, që zhbën efektet e mbidozës dhe të ilaçeve për trajtimin e ndërvarësisë, si buprenorfina.

Disa ekspertë janë pyetur për ndryshimet në furnizimin me barna. Xylazine, një qetësues, është zbuluar gjithnjë e më shumë në fentanilin e prodhuar në mënyrë të paligjshme dhe ekspertët po studiojnë se si kjo po ndikon tek mbidozat. Në të dhënat e fundit të CDC-së, raportimet për vdekjet nga mbidoza kanë rënë në 45 shtete. Rritje ka patur në Alaskë, Nevada, Oregon, Jutah dhe Uashington. Uljet më dramatike u panë në Karolinën e Veriut dhe Ohajo. CDC-ja bëri vlerësimet e saj në përpjekje për të përllogaritur të dhënat jo të plota të vdekjeve, por rënia në disa vende përfundimisht mund të rezultojë të mos jetë aq dramatike sa sugjerojnë shifrat fillestare.