Sport

Juve në Champions, por me rekordin më negativ të pikëve dhe golave të shënuar!

Juventus ia doli të kualifikohet zyrtarisht për në ‘Champions Leaguen’ e sezonit të ardhshëm. Një objektiv i realizuar që erdhi si pasojë e disfatës së Romës ndaj Atalantës, me bardhezinjtë që në ndeshjen e tyre dështuan duke barazuar në shtëpi 1-1, me Salernitanën e rrëzuar në Serie B.

“Zonja e Vjetër” vijon të vuajë në fushë duke mos ia dalë të shprehë një futboll logjik, duke u bazuar më shumë tek rastësitë diçka që ka sjellë kritika të pafundme për trajnerin Massimiliano Allegri.

Edhe statistikat “flasin” tërësisht kundër Juventus, madje duke shenjuar rekorde nga më negativet. Kështu, me 67 pikë kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit, Juventus rikthehet 13-vite pas në kohë. Ishte viti 2011 kur me Del Nerin në krye, në këtë pikë të kampionatit Juventus numëronte vetëm 57 pikë.

Akoma edhe më keq bilanci në lidhje me golat e shënuar. Deri më tani, ofensiva torineze ka shënuar 49 gola, shifra më negative në historinë e Juventus prej momentit kur kampionati është me 20 skuadra pjesëmarrëse.

Juventus në sezonin 2009-2010, të drejtuar nga Ferrara dhe Zaçheroni e mbyllte kampionatin me 55 gola. Aktualisht, në dy javë për të shmangur rekordin më negativ të historisë, Juventus do t’i duhet ta gjejë rrjetën të paktën gjashtë raste, pak vështirë me bardhezinjtë që ecin me një mesatare prej 1.36 goli për ndeshje.