Justin Bieber është raportuar se është “i tronditur plotësisht” nga akuzat e rënda që rrethojnë ish-mentorin e tij, reperin Sean “Diddy” Combs, i cili është akuzuar për përdhunim, tregti njerëzish dhe për drejtimin e një organizate kriminale. Sipas burimeve për revistën US Weekly, Bieber është këshilluar të qëndrojë sa më larg nga situata dhe dëshiron të mbrojë veten, veçanërisht pas lindjes së djalit të tij të parë, Jack.
Një burim tjetër thekson se Bieber po kalon një periudhë të vështirë mendore për shkak të lidhjeve të tij të kaluara me Diddy-n, duke shtuar se gëzimi i tij si baba është më i fortë se ankthi i shkaktuar nga skandali.
Pas arrestimit të Diddy-t në New York për akuzat për abuzim seksual dhe organizim të festave të paligjshme, një grup prej 120 personash është duke planifikuar të padisë reperin, ndërsa akuzat përfshijnë incidente të ndodhura edhe me të mitur.
Diddy ka mohuar të gjitha akuzat dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, pasi gjykatësi i ka refuzuar lirinë tre herë.