Aktualitet

Jurgis Çyrbja dha dorëheqjen, KQZ i jep mandatin e deputetit Erjon Mekës!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i dha mandatin e deputetit Erjon Mekës nga radhët e Partisë Socialiste, pas dorëheqjes së Jurgis Çyrbjas. KQZ-ja informoi se Erjon Meka i plotëson kriteret për marrjen e mandatit të deputetit.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka njoftuar KQZ-në për krijimin e vakancës nga Jurgis Çyrbja, i zgjedhur në qarkun Durrës, propozuar nga Partia Socialiste.

Sipas vendimit rezulton se kandidati të cilit i kalon mandati i deputetit është ai me numrin rendor 11, Erjon Meka. Kandidati ka depozituar formularin e Dekriminalizimit brenda afateve ligjore. Konstatohet se kandidati nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, konfirmoi lënien e mandatit “për arsye shëndetësore”. Më 11 tetor, Prokuroria e Posaçme mori të pandehur Çyrbjan, i cili dorëzoi mandatin e deputetit socialist, siç u shpreh “në vlerësim të situatës personale” dhe deklaroi se “nuk ka asnjë shqetësim të natyrës ligjore”.   Ai akuzohet për  “Shpërdorim detyre” lidhur me kallëzimin e bërë nga deputeti demokrat, Edi Paloka në zgjedhjet politike të vitit 2021 se gjatë kohës kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, “shpërndante leje legalizimesh me qëllime elektorale”.

Kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, Çyrbja është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, i dyshuar se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për të përfituar prona në Durrës. Madje, vazhdimisht ish-kryetari demokrat, Lulzim Basha e quante “bashkëpunëtor të krimit”. Në një reagim, Basha u shpreh:

Edi Rama nuk mund të lajë duart vetëm duke detyruar deputetë e ministra të largohen nga funksionet kur u tunden prangat. Ai duhet të mbajë përgjegjesi pse e ka zhytur vendin në korrupsion dhe ka veshur krimin me pushtet.

Të premten e kaluar, 30 minuta qëndroi në mjediset e SPAK-ut, Jurgis Çyrbja, për të dytën herë në tre ditë. Gazetarëve që e pyetën, iu tha:

Nuk kam asgjë për të thënë. Drejtohuni te SPAK-u!

Çyrbja po mbyllte mandatin e dytë si deputet i PS-së. Sa i përket zëvendësuesit Erjon Meka, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, mori 2 mijë e 228 vota.