Të dielën e kësaj jave, pra nesër, akrepat e orës kthehen 60 minuta pas. Prapa, lëvizin në 03:00, natën mes të shtunës dhe të dielës, 26 e 27 tetor, duke u ripozicionuar te ora 02:00. Kështu, mund të flejmë një orë më shumë gjumë, por pasditet do të kenë një orë më pak dritë natyrale. Akrepat do t’i lëvizim vetëm në orët analoge, teksa siç dihet, të gjitha pajisjet e tjera digjitale të lidhura me internetin përditësohen automatikisht me orarin e ri.
Ora diellore qëndron në fuqi deri më 31 mars 2025, kur si gjithmonë në 03:00 të mëngjesit, në fuqi hyn ora ligjore, e njohur ndryshe si ajo verore. Përcaktimi i ndryshimit të orës nuk ka asnjëherë datë fikse, në të dyja rastet, por aplikohet gjithmonë natën mes të shtunës e të dielës së fundit të tetorit e muajit mars. Pavarësisht polemikave që prej disa vitesh kanë shoqëruar ndryshimin stinor të orës, ende nuk është vendosur gjë nga BE-ja.
Diskutimi ishte mbi mbajtjen në fuqi të vetëm një ore ligjore, për të kursyer energji elektrike, arsye se pse është adoptuar që për herë të parë ose mbajtjen e regjimit të orës diellore. Por pikërisht për kursimin e energjisë, impakti në ekonomi apo edhe në mjedis, pasi sjell reduktim të CO2, ka ndikuar në mosvijimin e diskutimeve për ta hequr orën ligjore, se duhet të jetë një vendim unanim për të gjitha vendet e Bllokut.
Në vitin 2018, me 84% të votave, Parlamenti Europian u shpreh në favor të shfuqizimit të orës ligjore. Por, vendimi përfundimtar u la në dorë të secilit vend anëtar të Unionit e deri tani, asnjë prej tyre nuk është shprehur në mënyrë përfundimtare.
Në Europë, ndryshimi i orës nuk ka qenë i njëtrajtshëm. Ai filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën, në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit e të konsumonin më pak energji elektrike.
Si ligj europian u vendos nga viti 1981 e është rinovuar çdo katër vjet. Në mënyrë të qëndrueshme, norma europiane përcakton datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur akrepat shkojnë 60 minuta përpara) dhe përfundimin e saj (kur shkon një orë pas). Përfundimi: e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit.