Meta, pronari i Facebook dhe Instagram, ka njoftuar se ka ndërtuar një model të ri me Al të quajtur Movie Gen, që mund të krijojë video dhe klipe audio në dukje realiste në përgjigje të kërkesave të përdoruesve. Shembujt e krijimeve të Movie Gen të siguruara nga Meta tregojnë video të kafshëve që notojnë dhe bënin sërf, si dhe klipe që përdorin fotot reale të njerëzve për t’i përshkruar ata duke kryer veprime.
Movie Gen gjithashtu mund të gjenerojë muzikë në sfond dhe efekte zanore të sinkronizuara me përmbajtjen e videove. Përdoruesit gjithashtu mund të modifikojnë videot ekzistuese me modelin. Bëhet e ditur se videot e krijuara nga Movie Gen mund të zgjasin deri në 16 sekonda, ndërsa audio mund të jetë deri në 45 sekonda. Njoftimi vjen pasi Hollywoodi ka luftuar me mënyrën se si të shfrytëzojë teknologjinë gjeneruese të videove me AI këtë vit, pasi OpenAI i mbështetur nga Microsoft tregoi sesi produkti i tij Sora mund të krijonte video të ngjashme me filmat artistikë në përgjigje të kërkesave të tekstit.
Zëdhënësit e Metas thanë se kompania nuk ka gjasa të lëshojë Movie Gen për përdorim të hapur nga zhvilluesit, siç ka bërë me serinë e saj Llama, duke thënë se i konsideron rreziqet individualisht për secilin model. Në vend të kësaj, Meta po punon drejtpërdrejt me komunitetin e argëtimit dhe krijuesit e tjerë të përmbajtjes për përdorimet e Movie Gen. Meta tha së fundmi se do të zgjerojë investimet në inovacionin e inteligjencës artificiale në Vietnam, duke përfshirë prodhimin e kufjeve të saj më të fundit të realitetit të përzier nga viti 2025.
Njoftimi erdhi gjatë një vizite në Vietnam nga presidenti i Meta-s për çështjet globale, Nick Clegg, vetëm një javë pasi ai u takua me presidentin vietnamez To Lam në Nju Jork. “Duke filluar nga viti 2025, Meta do të zgjerojë prodhimin e pajisjeve të saj më të fundit Mixed Reality Quest 3S në Vietnam”-tha Clegg në një deklaratë. Meta nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për koment mbi vlerën e investimit. Meta ka dhjetëra miliona përdorues në Vietnam të platformës së saj të mediave sociale Facebook.