Për nder të 60-vjetorit të filmit ikonik “Goldfinger” të James Bond, Rolls-Royce ka krijuar një model të veçantë të quajtur Phantom Goldfinger. Ky automobil është një nderim për Rolls-Royce Phantom III Sedanca de Ville të vitit 1937, i cili luajti një rol të rëndësishëm në filmin e vitit 1964 me aktorin Sean Connery dhe mbetet ende “një burim frymëzimi” për markën luksoze britanike.
Makina e re, e cila tashmë ka një pronar të pasionuar pas James Bond, u përfundua pas një pune 3-vjeçare nga ekipi i Rolls-Royce. Një seri detajesh me ar janë të integruara në dizajn, duke përfshirë një shkop golfi të vendosur në bagazh që simbolizon skenën ikonike të takimit të Bond-it me antagonistit Auric Goldfinger në fushën e golfit. Tavolinat e piknikut përmbajnë një hartë fiktive të Fort Knox të punuar me flori 22 karat, ndërsa një hartë e Luginës së Furkës në Zvicër, një tjetër vend i rëndësishëm i filmit është gdhendur në çelik dhe ar brenda makinës. Këto elemente krijojnë një lojë elegante referencash për fansat e filmit.
Në një intervistë, dizajneri Nick Rhodes tha se synimi ishte krijimi i detajeve të fshehura për njohësit e filmave Bond. Identiteti i klientit mbetet sekret, por është një koleksionist makinash dhe admirues i Bond-it. Me miratimin e tij, makina mori pamjen dyngjyrëshe, të verdhë dhe të zezë. Rolls-Royce nuk ka zbuluar ende koston.