Kur dizajneri i famshëm i makinave, Sasha Selipanov, zbuloi hiper-makinën e tij, Nilu27, në gusht, disa gazetarë e pyetën për emrin. Nilu është bashkim i emrave të dy vajzave të tij, Nica dhe Lucia, ndërkaq numri 27 është referencë për diçka që ai pa si fëmijë në Tbilisi. Dimrin e vitit 1991, Gjeorgjia, që rishtazi ishte pavarësuar, ishte përfshirë në një luftë civile dhe Selipanov, që ishte 7-vjeç, kishte parë nga afër luftimet.
“Më kujtohet shumë mirë ajo kohë”-tha Selipanov, duke thënë se ai dhe familja e tij ishin strehuar në banesën e tyre në qendër të Tbilisit. “Kishte të shtëna me armë gjithandej dhe militantët dogjën disa ndërtesa në lagje, ndër to edhe ëmbëltorja ime e preferuar u bë shkrumb e hi”.
Kur luftimet u bënë më intensive, gjyshi i Selipanovit shkoi në banesën e tyre. “Ai i tha babait tim se duhet t’i mbledhim gjërat dhe të ikim”. Teksa familja e tij me nxitim u largua nga qendra e qytetit me makinë, Selipanov tregoi se mund të shihnim plumbat që fluturonin. Në banesën e gjyshërve të tij në pjesën veriore të Tbilisit, zonë relativisht e sigurt, ai nisi të eksploronte shtëpinë e tij të re dhe zbuloi një revistë të vjetër për makina. Ai e shfletoi atë, derisa u ndal kur e pa një fotografi. Ishte një makinë garash, një Ferrari i kuq, që kishte numrin 27 të vendosur në pjesën e përparme.
Për Selipanovin, dashuria për avionët luftarakë sovjetikë u zhduk pasi e pa luftën nga afër. “Isha i mërzitur me gjithçka dhe çdo gjë dhe definitivisht nuk isha i lumtur kur e pash ushtrinë në aksion”-tha ai. Ferrari përfaqësonte diçka ndryshe. Makina e garave kishte një pamje agresive, sikurse e avionëve luftarakë sovjetikë, Mig-29 dhe Su-27, që Selipanovi i donte fort. “Mendova se ajo fotografi ishte e jashtëzakonshme”. Nga ai moment, Selipanov u obsesionua me makinat, por në Gjeorgjinë e asaj kohe, makina më e mirë nëpër rrugë ishte Lada Niva, e prodhimit sovjetik.
Pasi familja e tij u zhvendos në Rusi në fillim të viteve ’90, prindërit e Selipanovit nisën një biznes të importit të ushqimeve, duke shitur ushqime të paketuara të detit. Familja kurseu mjaftueshëm sa ta dërgonte Selipanovin në Shtetet e Bashkuara më 2001, ku ai studioi në shkollën e dizajnit, ArtCenter në Kaliforni. Pasi u diplomua, Selipanovi u punësua në Grupin Volkswagen në Gjermani, ku ai i përmirësoi aftësitë e tij, por u bë gjithnjë e më i frustruar me kufizimet e vendosura nga korporata sa i përket dizajnit.